Ndërlidhjet

Kosnett: Inkurajova Haradinajn dhe Hoxhajn të veprojnë me konstruktivitet


Ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett.
Ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett.

Ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett ka thënë të enjten se është takuar ndaras me liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj dhe ushtruesin e detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhajn për t’i inkurajuar që të veprojnë me konstruktivitet në rolin e opozitës.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Kosnett ka thënë t’iu ketë kërkuar atyre që, të punojnë së bashku me qeverinë në synimet e përbashkëta dhe të vendosin nevojat e qytetarëve mbi qëndrimet politike.

Më herët gjatë ditës, Hoxhaj ka thënë se qëndrimi i partisë së tij, në raport me votimin e Vjosa Osmanit për postin e presidentit, është i qartë.

“Nuk e mbështesim kandidaturën e saj”.

Mes tjerash ai e ka konsideruar Osmanin figurë “përçarëse”.

“Ju e dini që, a qëndron apo nuk qëndron në sallë, nuk ka kurrfarë vlere. Vlera është, a merr pjesë apo nuk merr pjesë në votim, dhe qëndrimi jonë është që kandidatura e zonjës Osmani është e papranueshme, nuk e reflekton vullnetin, më së paku të elektoratit të PDK-së, por nuk e reflekton edhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës, meqë ka qenë një figurë më shumë polarizuese, përçarëse, në raport me qytetarët e Kosovës, por edhe në raport me ish-subjektin e saj politik, të cilin subjekt e ka shndërruar në viktimë në këto zgjedhje”, ka thënë ai.

Po të enjten, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë se partia që drejton ai, do të jetë pjesë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Për secilën seancë tjetër, Haradinaj ka thënë se grupi parlamentar i AAK-së do të diskutojë veç e veç.

Ditë më parë, Haradinaj ka thënë se është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje që t’i sigurojë votat e nevojshme në kuvendin e ri, për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, më 22 mars është caktuar të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, ku pritet që 120 deputetët e rinj të bëjnë betimin dhe të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët e këtij institucioni.

Konstituimi i kuvendit i hap rrugë formimit të Qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.

XS
SM
MD
LG