Ndërlidhjet

Hungaria do të vazhdojë masat kufizuese për luftim të pandemisë


Një grua duke mbajtur maskë kundër koronavirusit në Hungari.
Një grua duke mbajtur maskë kundër koronavirusit në Hungari.

Kryeministri hungarez Viktor Orban, ka paralajmëruar se kufizimet e ashpra, me qëllim të luftimit të koronavirusit, do të vazhdohen edhe javën tjetër, pas regjistrimit të shifrave rekorde të të infektuarve dhe të vdekurve.

Më herët gjatë këtij muaji, qeveria ka urdhëruar mbylljen e të gjitha dyqaneve, përveç atyre ushqimore, barnatoreve dhe stacioneve të gazit, deri më 22 mars.

Duke folur në një radio më 19 mars, Orban ka thënë se në baza ditore janë duke u regjistruar mbi 10,000 të infektuar, andaj masat do të vazhdohen për një javë.

Kopshtet e fëmijëve dhe shkollat fillore do të jenë të mbyllura për një muaj, derisa të përfundojë pushimi për Festën e Pashkëve më 7 prill.

Autoritetet hungareze kanë raportuar më 19 mars 10,759 infektime të reja në 24 orët e fundit dhe 213 viktima të lidhura me koronavirusin.

Deri më tani janë vaksinuar 1.5 milion persona nga 10 milionë sa janë në total.

Më shumë se 10,000 pacientë me koronavirus janë duke u trajtuar nëpër spitale, mirëpo Orban ka thënë se sistemi shëndetësor në Hungari është duke menaxhuar valën e infektimeve.

Ai ka thënë se Hungaria mund të lehtësojë kufizimet, kur të jenë vaksinuar edhe 1 milion banorë tjerë.

Kryeministri hungarez ka mbrojtur vendimin e shtetit të tij për të përdorur vaksinën ruse Sputnik V dhe atë kineze Sinopharm.

Hungaria ka qenë shteti i parë i Bashkimit Evropian, që ka miratuar përdorimin e këtyre dy vaksinave kundër koronavirusit.

XS
SM
MD
LG