Ndërlidhjet

Izraeli mban zgjedhjet e katërta parlamentare brenda dy vjetësh


Flamuri i Izraelit.

Të martën (23 mars) Izraeli po mban zgjedhjet parlamentare. Këto janë zgjedhjet e katërta që ky vend i mban në dy vjetët e fundit. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu shpreson se fakti që vendi tij prin në botë për vaksinimin kundër koronavirusit, do të jetë faktor i cili do ta nxjerrë atë nga epoka e mosmarrëveshjeve politike dhe do t’i sigurojë një shumicë të qëndrueshme në përbërjen e re parlamentare.

Por, Netanyahu, është një figurë polarizuese në Izrael, shkruan agjencia Reuters.

Për herë të parë, partitë nga i gjithë spektri politik, po garojnë për t'i dhënë fund udhëheqjes së tij. Netanyahu, 71 vjeç, po garon në këto zgjedhje nën hijen e akuzave për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit. Gjykimi i tij tashmë ka filluar dhe pritet të vazhdojë në muajin prill.

Për më shumë, ekonomia e Izraelit është goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit. Opinioni ishte i zemëruar më mënyrën e trajtimit të pandemisë nga ana e Natanyahut, derisa nuk filluan vaksinimet në muajin dhjetor të vitit 2020.

Motoja e Netanyahut tash është “Një komb i vaksinuar”. Ai thotë se është lideri i vetëm që ka arritur të realizojë një fushatë kaq të shpejtë të vaksinimit. Netanyahu është lideri që ka shërbyer më së gjati në udhëheqje të Qeverisë izraelite.

Ai u ka bërë jehonë edhe vendosjes së raporteve diplomatike të Izraelit me vendet e Gjirit, Marokun dhe Sudanin, të gjitha marrëveshje këto të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.

Cilat janë parashikimet e hulumtimeve të opinionit?

Nuk ka një fitues të qartë.

Partia Likud, e krahut të djathtë të Netanyahut, pritet të dalë si partia e parë me një shumicë parlamentare në Knesset (Parlamenti i Izraelit) por nuk do të jetë në gjendje të formojë me lehtësi një koalicion qeverisës. Një situatë e njëjtë u prodhua edhe nga zgjedhjet e kaluara.

Hulumtimet e opinionit tregojnë se një shumicë e vogël e izraelitëve duan të shohin Netanyahu jashtë zyrës. Edhe për opozitën nuk ekziston një rrugë e qartë për të marrë pushtetin pasi ajo mbetet e ndarë. Partitë opozitare nuk kanë rënë dakord për një kandidat të vetëm që do të udhëhiqte kampin kundër Netanyahut.

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve pritet të dalin të martën në mbrëmje deri të mërkurën. Por, rezultatet përfundimtare pritet të publikohen deri të premten. Rezultatet e sondazheve shpesh kanë ndryshuar nga rezultatet e votimit.

Kush janë rivalët e Netanyahut?

Në tri zgjedhjet e kaluara rivalët e Netanyahut kanë qenë nga krahu i majtë. Kësaj rradhe atë e sfidojnë edhe kandidatë për kryeministër nga krahu i djathtë.

  • Yair Lapid, 57 vjeç, ish-ministër i Financave dhe drejtues televiziv, i cili udhëheq partinë e qendrës së majtë Yesh Atid - "Ekziston një e ardhme". Partia e tij është aktualisht në opozitë, por parashikohet të dalë e dyta pas partisë Likud të Netanyahut.
  • Gideon Saar, 54 vjeç, ka qenë ministër i kabinetit qeveritar, por u largua nga partia Likud dhe formoi partinë “Shpresa e Re”. Ai është zotuar se do t'i japë fund udhëheqjes së Netanyahut. Ashtu si Likud, edhe partia e tij kundërshton shtetësinë palestineze, megjithëse fushata e tij është përqendruar në qeverisjen e pastër dhe rritjen ekonomike.
  • Naftali Bennett, 48 vjeç, ka qenë ish-këshilltar i Netanyahut, pastaj edhe ministër. Ai është një milioner i kompanive të teknologjisë së lartë. Ai kryeson partinë Yamina dhe po garon me Saar për të qenë udhëheqësi i ardhshëm i së djathtës izraelite.
  • Benny Gantz, 61 vjeç, është një ish-gjeneral, partia Blu e Bardhë e të cilit u nda, pasi ai hyri në koalicion qeverisës me Netanyahun. Ai argumentoi nevojën për një qeveri të unitetit kombëtar, por shumë nga mbështetësit e tij ishin të zemëruar. Popullariteti i tij ra dhe sondazhet tregojnë se partia e tij mund të mos fitojë asnjë vend në parlament.
Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG