Ndërlidhjet

Putin vaksinohet kundër koronavirusit


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, mori vaksinën kundër koronavirusit dhe ndihet mirë, njoftoi Kremlini, transmeton agjencia ruse e lajmeve RIA.

Më herët, Kremlini tha se ka vendosur qëllimisht që të mos e zbulojë emrin e vaksinës së prodhuar në Rusi, që Putin ka zgjedhur të marrë.

Në Rusi ka hezitim të madh për vaksinimin kundër koronavirusit.

Deri më tani, vetëm 4.3 milionë rusë i kanë marrë dy doza të vaksinës, që do të thotë më pak se 5 për qind e popullsisë 146-milionëshe.

Rusia ka numrin e katërt më të lartë në botë të infektimeve me koronavirus: mbi 4.4 milionë.

Numri i viktimave atje është mbi 94,000.

Rusia ka zhvilluar tri vaksina kundër koronavirusit: Sputnik V, EpiVacCorona dhe CoviVac.

Ajo ka miratuar Sputnik V-në në muajin gusht, duke u bërë vendi i parë në botë me vaksinë kundër koronavirusit.

Kjo ka bërë që shkencëtarët në gjithë botën të vënë në dyshim sigurinë dhe efikasitetin e saj, pasi ajo është regjistruar përpara se studimet e fazës së tretë të testimit të bëheshin të disponueshme.

Por, në fillim të shkurtit, rezultatet e testimeve të publikuara në revistën globale mjekësore Lancet, kanë treguar se Sputnik V - vaksinë që jepet në dy doza - është 91.6 për qind efektive kundër koronavirusit.

Edhe dy vaksinat tjera ruse, EpiVacCorona dhe CoviVac, kanë marrë miratimin e rregullatorëve shëndetësorë përpara se të përfundonin testimet e fazës së fundit.

XS
SM
MD
LG