Ndërlidhjet

Vdes ish-kryeministri i Shqipërisë, Bashkim Fino


Bashkim Fino.
Bashkim Fino.

Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe deputeti socialist, Bashkim Fino ka vdekur në moshën 59 vjeçare, pasi ishte diagnostifikuar me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Gjendja tij shëndetësore në ditët e fundit ishte përkeqësuar. Qeveria e Shqipërisë shpalli për sot Ditë zie kombëtare.

Fino, ka qenë kryeministër i Shqipërisë në periudhën mars -korrik të vitit 1997. Ishte kjo koha kur në Shqipëri u formua Qeveria e Pajtimit Kombëtar, pas trazirave që u shkaktuan nga rënia e skemave piramidale.

Ai pastaj ka mbajtur disa pozita qeveritare, si zëvendëskryeministër, dhe tre herë të tjera si ministër.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh i pikëlluar për vdekjen e Finos derisa njoftoi se aktivitetet e fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit do të pezullohen.

“E pabesueshme, po shumë fatkeqësisht e vërtetë, miku im, miku ynë i mirë Bashkim Fino nuk jeton më! Nuk kam fjalë. Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie, aktivitetet tona elektorale do të ndalen, në nderim e kujtim të vëllait tonë të dashur”,ka shkruar Rama në rrjetin social Facebook.

Edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një postimi në Facebook shprehu tronditjen për vdekjen e ish-kryeministrit, Bashkim Fino.

“Ndarja e papritur nga jeta e mikut, kolegut, politikanit të moderuar dhe e Kryeministrit të Pajtimit Kombëtar në vitin e vështirë 1997, qytetarit aktiv e familjarit shembullor, Bashkim Fino, na ka tronditur të gjithëve këtë mëngjes. Dhembje e madhe, që na ka lënë pa fjalë!”, ka shkruar presidenti Meta.

XS
SM
MD
LG