Ndërlidhjet

S'ka kuorum për zgjedhjen e presidentit


Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

Kuvendi i Kosovës as në përsëritjen e rrethit të parë të votimit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës nuk ka arritur kuorumin prej 80 votash të deputetëve. Në votim kanë marrë pjesë 79 deputetë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se rrethi i parë i votimit nuk është konsumuar por për vazhdimin e seancës do të vendoset pas një pauze 30 minutëshe.

Në votimin e parë morën pjesë 78 deputetë. Për shkak të mungesës së kuorumit, kuvendi zhvilloi përsëritjen e votimit.

Në momentin kur duhej të fillonte votimi i parë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca konstatoi prezencën e 82 deputetëve në sallë.

Konjufca tha para fillimit të votimit se nëse në votimin e parë marrin pjesë më pak se 80 deputetë, konsiderohet se nuk ka kuorum dhe duhet të përsëritet votimi. Nëse në votimin e parë votojnë së paku 80 deputetë por asnjëri nga kandidatët nuk merr të paktën 80 vota për, atëherë kalohet në votim të dytë. E njëjta rregull vlen edhe në votimin e dytë.

“Në votimin e tretë duhet të marrin pjesë së paku 61 deputetë. Nëse në votim marrin pjesë me pak se 61 deputetë konsiderohet se nuk kuroum, duhet të përsëritet. Nëse ka kuorum, por asnjë kandidat nuk merr vota të nevojshme, pra të paktën 61 vota për, atëherë shpërndahet kuvendi dhe mbahen zgjedhjet e reja brenda 45 ditsh”, tha Konjufca.

Të pranishëm në sallë janë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joserbe.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po merr pjesë vetëm deputetja Albena Reshitaj. Deputetët e Listës Serbe, po i bojkotojnë punimet e kësaj seance.

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit është Vjosa Osmani-Sadriu, e cila në këtë garë, për kundërkandidat do të ketë Nasuf Bejtën.

Sipas Kushtetutës, në garë për president duhet të jenë të paktën dy kandidatë, të cilët paraprakisht duhet të sigurojnë nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në Kosovë zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, dhe më 22 mars, 2021 u konstituua Kuvendi dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje. Qeveria e tij u mbështet nga 67 deputetë.

XS
SM
MD
LG