Ndërlidhjet

Kosova për herë të dytë zgjedh një grua për presidente


Presidentja e zgjedhur e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.
Presidentja e zgjedhur e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.

Kosova, për herë të dytë zgjedh një grua në krye të shtetit. Vjosa Osmani-Sadriu u zgjodh të dielën presidente e Kosovës pasi pro kandidaturës së saj votuan 71 deputetë të Kuvendit të Kosovës, në roundin e tretë të votimit.

Këtë pozitë në vitet 2011-2016 e kishte mbajtur, Atifete Jahjaga.

Osmani-Sadriu kishte kundërkandidat Nasuf Bejtën, i cili nuk mori asnjë votë, ndërsa 11 vota u shpallën të pavlefshme. Në procesin e votimit morën pjesë 82 deputetë. Që të dy ishin propozuar nga Lëvizja “Vetëvendosje”, parti kjo e cila me fitoren e Osmani-Sadriu, siguron udhëheqjen e tri institucioneve kryesore të vendit, Qeverisë me kryeministër, kreun e partisë, Albin Kurti dhe Glauk Konjufcën, i cili është kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Të pranishëm në seancën për zgjedhjen e presidentit ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joserbe.

Po ashtu e pranishme në seancë ishte edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Adelina Grainca dhe Albena Reshitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Deputetët tjerë të këtyre dy partive nuk morën pjesë në seancë, sikurse nuk ishin të pranishëm as deputetët e Listes Serbe.

Zyrtarët e PDK-së dhe AAK-së kanë kundërshtuar zgjedhjen e Osmani-Sadriut duke thënë se ajo nuk është një figurë unifikuese.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Osmani, ish-zyrtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit garoi në listë të përbashkët me LVV-në dhe mori më së shumti vota, përkatësisht, mbi 300 mijë.

Newsletter

Gjithçka që duhet të dini për temën më të diskutuar të javës jua sjellim të enjteve në tre minuta. Regjistrohuni për t'u informuar të parët!

XS
SM
MD
LG