Ndërlidhjet

Blinken shpreh mbështetjen për mediat ndërkombëtare të SHBA-së 


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shprehur mbështetjen e tij për mediat ndërkombëtare të SHBA-së.

Shqetësimet janë në rritje në lidhje me përpjekjet ruse për të heshtur Radion Evropa e Lirë përmes ligjit të diskutueshëm për "agjentët e huaj".

Blinken u takua me ushtruesen e detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Median Globale (USAGM), Kelu Chao.

USAGM mbikëqyr Zërin e Amerikës, Radion Azia e Lirë, Radion Evropa e Lirë dhe transmetuesit e tjerë ndërkombëtarë të financuar nga SHBA-ja.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, përmes një deklarate tha se, në takim “është diskutuar roli jetik që luajnë mediat e lira dhe të pavarura në ruajtjen dhe promovimin e parimeve demokratike në të gjithë botën".

Sekretari Blinken shkroi në Twitter se në takim "diskutuan shqetësimin e përbashkët mbi përpjekjet e Rusisë për të mbyllur Radion Evropa e Lirë dhe heshtjen e këtij burimi me vlerë të raportimit të pavarur".

Gati 1 milionë dollarë kanë arritur gjobat të cilat rregullatori i mediave ruse Roskomnadzor i ka vendosur ndaj shërbimit në gjuhën ruse të Radios Evropa e Lirë në lidhje me mosrespektimin e kufizimeve të rënda të ligjit për "agjent të huaj".

"Sekretari (Blinken) u pajtua se përpjekjet e qeverisë ruse për të heshtur gazetarinë e pavarur dëmtojnë vetëm qytetarët të cilëve u është dashur t'iu shërbejë ajo", tha Chao, sipas një deklarate të USAGM.

Blinken shprehu mbështetjen e tij të fortë për të gjitha rrjetet globale të USAGM, thuhet në njoftim.

Rusia, më 2012 miratoi për herë të parë ligjin për “agjent të huaj”. Mirëpo gjatë viteve ai u plotësua disa herë. Ligji u jep autoriteteve fuqinë për të shënjestruar organizatat joqeveritare, grupet e të drejtave të njeriut dhe mediat që mendohet të marrin fonde të huaja për aktivitetin politik si "agjentë të huaj".

Në vitin 2017, rregullatorët rusë e vendosen Shërbimin Rus të Radios Evropa e Lirë në listë. Ligji gjithashtu vë gazetarët e REL-it në rrezik për ndjekje penale.

Ndër të tjera, ligji kërkon që organizatat e lajmeve të cilat marrin fonde të huaja të etiketojnë përmbajtjen e tyre brenda Rusisë si të prodhuar nga një "agjent i huaj".

Njoftimi duhet të jetë dy herë më i madh se madhësia e shkronjave e përdorur për titullin e artikullit.

Për materialet video, teksti duhet të zërë të paktën 20 për qind të ekranit dhe të shfaqet për të paktën 15 sekonda.

XS
SM
MD
LG