Ndërlidhjet

MSH: Më 12 maj arrijnë 38,400 doza të vaksinës


Foto ilustrim.
Foto ilustrim.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se të mërkurën (12 maj) do të pranojë edhe 38,400 doza të tjera të vaksinës përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

“Me pranimin e këtyre dozave të vaksinës kundër COVID-19, do të vijohet më tej me vaksinimin e kategorive të parapara sipas Planit Shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19”, thuhet në një njoftim të ministrisë së Shëndetësisë.

Në fund të muajit mars, në formë donacioni, Kosova kishte pranuar 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca.

Në mes të të vaksinuarve me 24 mijë dozat e para të vaksinës kundër kornavirusit, përfshihen punonjësit shëndetësorë, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.

Më 4 maj, Kosova ka rinisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit, pas pranimit të 4,680 vaksinave të kompanisë Pfizer/BioNTech. Kjo është pjesa e parë e 95,000 dozave që Bashkimi Evropian ka ndarë për Kosovën, në kuadër të mbështetjes së vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ekspertë shëndetësorë, infektologë dhe partitë opozitare, i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të veprojnë në mënyrë urgjente, për sjelljen e vaksinës kundër koronavirusit, në të kundërtën, qytetarët po rrezikohen nga infektimet dhe vdekjet që po shkakton COVID-19.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke u angazhuar për sigurimin vaksinave për të imunizuar 60 për qind të popullsisë. Sipas Kurtit, synohet që deri para verës të vaksinohen grupet e rrezikuara.

XS
SM
MD
LG