Ndryshimet në Misionin e Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) kërkojnë vendimin e Këshillit të Sigurimit.
Kështu ka thënë të premten zëdhënësja e UNMIK-ut Sanam Dolatshahi, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, pas deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq më 13 maj, se vendi i tij ka marrë informacione nga burimet e inteligjencës, se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë të kërkojë zyrtarisht tërheqjen e forcave të KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova.
“Rezoluta e Këshillit të Sigurimit 1244 (1999) përcakton mandatin e prezencës civile ndërkombëtare dhe atë të sigurisë në Kosovë, dhe, si e tillë, çdo rregullim i Misionit kërkon një vendim të Këshillit të Sigurimit”, është thënë në përgjigjen e plotë të Dolatshahit.
Vuçiq u ka thënë të enjten gazetarëve në Beograd se nuk mund të thotë se për cilën fuqi bëhet fjalë, porse informacionet janë nga “burimet zyrtare”.
Vuçiq ka thënë po ashtu se do të përpiqet të flasë për këtë çështje me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin pritet të takohet më 17 maj në Bruksel.
“Kemi marrë informacione se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë një kërkesë zyrtare për tërheqjen e KFOR-it dhe UNMIK-ut [nga Kosova]. Do të përpiqem të flas me Stoltenbergun për të bërë gjithçka të mundur që kjo të mos ndodhë”, ka thënë Vuçiq të enjten.
Sipas tij, tërheqja e KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova do të ishte "një katastrofë".
Misioni i UNMIK-ut vepron sipas rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila ka qenë kompromis midis vendeve perëndimore dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë.
Ky mision është neutral ndaj statusit të Kosovës. UNMIK-u, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, i ka bartur të gjitha kompetencat tek institucionet vendore.
Institucionet e Kosovës kanë kërkuar më herët që misioni i UNMIK-ut të reformohet dhe të mbetet vetëm si zyrë përfaqësuese e OKB-së në Kosovë.