Ndërlidhjet

IKSHPK: Tetë të vdekur dhe 62 raste të reja me COVID-19


Ilustrim.
Ilustrim.

Në Kosovë të mërkurën janë regjistruar edhe tetë raste të vdekjes nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Dy viktima janë shënuar në Prishtinë dhe nga një në Malishevë, Mitrovicë, Obiliq, Prizren, Rahovec dhe Suharekë.

Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), nga 4.049 mostra të testuara, të infektuar me koronavirusin e ri janë regjistruar edhe 62 persona.

Bazuar në këto të dhëna 1.5 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë.

Sipas IKSHPK-së, nga sëmundja janë shëruar edhe 379 pacientë ndërsa raste aktive janë 4.218.

Që prej 13 marsit, 2020 e deri më 19 maj, 2021, Kosova ka regjistruar 107.065 raste me COVID-19. Prej tyre, 2.235 pacientë kanë vdekur dhe 100.612 janë shëruar.

Vazhdon procesi i vaksinimit

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, ka njoftuar se po vijon vaksinimi në të gjitha njësitë e vaksinimit nëpër qytetet e Kosovës, për personat mbi 65 vjeç, të regjistruar në platformën elektronike eKosova dhe sipas listave në dispozicion të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare.

"Ditën e djeshme janë vaksinuar 4.067 qytetarë, ndërsa prej fillimit të vaksinimit janë dhënë në total 50.176 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Nga 12 maji, në Kosovë ka nisur faza e dytë e vaksinimit, që përfshin personat e moshës 65 deri në 79 vjeç.

Në fazën e parë që ka nisur në fund të marsit, përparësi u është dhënë punonjësve shëndetësorë dhe personave mbi 80 vjeç.

Në fazën e tretë, ndërkaq, është thënë se do të vaksinohen 50 për qind e qytetarëve.

Kosova po zhvillon fushatën e imunizimit me vaksina të dhuruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Evropian.

Ky vend nuk ka të nënshkruar asnjë kontratë për blerje vaksinash nga ndonjë kompani farmaceutike.

XS
SM
MD
LG