Ndërlidhjet

SHBA-ja dëshiron fuqizim të raporteve me Grenlandën


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken pas arritjes në Rekjavik të Islandës për të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Arktikut.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken pas arritjes në Rekjavik të Islandës për të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Arktikut.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se SHBA-ja dëshiron të forcojë raportet me Grenlandën. Blinken ka përfunduar një udhëtim katër-ditor që përfshinte një takim të ministrave të jashtëm të Këshillit të Arktikut në Rekjavik të Islandës.

"Unë jam në Grenlandë sepse Shtetet e Bashkuara vlerësojnë shumë partneritetin tonë", tha Blinken para gazetarëve.

Vizita në territorin autonom danez ishte ndalesa e tij të fundit në turneun në Arktik.

Ai gjithashtu theksoi se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, nuk dëshiron ta blejë Grenlandën sikurse kishte shprehur dëshirën paraardhësi i tij, Donald Trump.

Më 2019, Trump kishte propozuar për të blerë territorin, por një ide e tillë ishte hedhur poshtë nga Qeveria daneze. Shumë ekspert e vlerësuan deklatarën e tij si një sinjal të interesit të tij në rajon.

Vitin e kaluar, SHBA-ja rihapi konsullatën në Nuuk, kryeqyteti i Grenlandës dhe premtoi 12 milionë dollarë ndihmë për projekte civile.

Kryeministri i Grenlandës, Mute Egede, shprehu bindjen se “kjo dekadë do të jetë fillimi i një epoke të re në raportet mes dy vendeve ".

Blinken u tha homologëve të tij nga Këshilli i Arktikut që përbëhet nga Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Islanda, Norvegjia, Rusia dhe Suedia se, Shtetet e Bashkuara janë "të përkushtuara në avancimin e një rajoni paqësor të Arktikut ku vendet bashkëpunojnë në çështje të klimës, mjedisit, shkencës dhe sigurisë".

Vendet e Arktikut u zotuan të luftojnë ngrohjen globale dhe të ruajnë paqen në rajon.

XS
SM
MD
LG