Ndërlidhjet

Zgjatet marrëveshja mes Iranit dhe inspektorëve bërthamorë


Presidenti iranian Hassan Rohani dëgjon kreun e Organizatës së Energjisë Atomike Ali Akbar Saleh gjatë një vizite të pajisjeve bërthamore të Iranit në Teheran.
Presidenti iranian Hassan Rohani dëgjon kreun e Organizatës së Energjisë Atomike Ali Akbar Saleh gjatë një vizite të pajisjeve bërthamore të Iranit në Teheran.

Përpjekjet diplomatike për të zgjidhur çështjen bërthamore të Iranit kanë marrë një shtysë të re pasi Irani dhe vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara janë pajtuar që të zgjasin për një muaj marrëveshjen që mundëson monitorimin e programit bërthamor të Teheranit.

Lajmin e konfirmoi drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA), Rafael Grossi si dhe përfaqësuesi i Iranit në IAEA, Kazem Gharibabadi.

Marrëveshja lejon IAEA të analizojë imazhet e pamjeve nga kamerat që janë vendosur në uzinat bërthamore iraniane.

Këto kamera kanë mundësuar monitorimin e zbatimit të marrëveshjes së vitit 2015 mes fuqive botërore dhe Iranit.

Që nga muaji prill Irani dhe Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në bisedime indirekte në Vjenë për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Më 2018, administrata e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja me arsyetimin se ajo ishte e negociuar keq dhe i mundësonte Teheranit të posedojë armë bërthamore. SHBA-ja vendosi sanksione gjymtuese ndaj Iranit.

Në kundërpërgjigje Teherani filloi me shkelje të marrëveshjes duke njoftuar për nivele të reja të pasurimit të uraniumit.

Diplomatët pritet të rinisin negociatat këtë javë.

SHBA-ja nën udhëheqjen e presidentit, Joe Biden ka shprehur gatishmëri për një zgjidhje diplomatike, mirëpo ka kërkuar që Irani fillimisht të zbatojë kushtet e marrëveshjes.

Teherani, në anën tjetër, kërkon shfuqizimin e sanksioneve amerikane.

Teherani gjithashtu ka nxitur palët e mbetura në marrëveshje - Francën, Britaninë e Madhe, Rusinë dhe Kinën për lehtësime ekonomike.

XS
SM
MD
LG