Ndërlidhjet

Blinken thotë se do të ndihmohet Gaza, jo Hamasi


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken përshëndetet me ministrin e Jashtëm të Izraelit, Gabi Ashkenazi, me të arritur në aeroportin ndërkombëtar Ben Gurion afër Tel Avivit në Izrael.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken përshëndetet me ministrin e Jashtëm të Izraelit, Gabi Ashkenazi, me të arritur në aeroportin ndërkombëtar Ben Gurion afër Tel Avivit në Izrael.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, tha më 25 maj në Jerusalem se Uashingtoni do të angazhohet për të adresuar "situatën e rëndë humanitare" në Gaza, por duke u siguruar që ndihmat të mos bien në duart e lëvizjes Hamas, që udhëheq me qytetin.

Blinken u zotua se do të kërkojë mbështetje ndërkombëtare për të ndihmuar Gazën.

Ai këto komente i bëri pas takimit me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, në Jerusalem, gjatë ndalesës së parë të tij në kuadër të turneut në Lindje të Mesme.

Ndërsa, kryeministri Netanyahu paralajmëroi se përgjigjja e Izraelit do të ishte "shumë e fuqishme" nëse Hamasi shkel armëpushimin e arritur javën e kaluar që i dha fund luftimeve 11 ditëshe mes forcave izraelite dhe militantëve palestinezë.

Blinken ka thënë se udhëtimi i tij në Lindje të Mesme ka për qëllim mbështetjen e përpjekjeve për të siguruar armëpushimin mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit.

Sekretari Blinken do të qëndrojë edhe në Bregun Perëndimor ku do të takojë presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, ndërsa më pas do të shkojë në Egjipt dhe Jordani. Diplomati i lartë amerikan nuk do të takohet me përfaqësuesit e Hamasit. Perëndimi e cilëson këtë grup si terrorist.

Autoritetet izraelite kanë thënë se po lejojnë furnizimin e Gazës me ilaçe dhe ushqime.

Nga luftimet më të ashpra në vitet e fundit mes Izraelit dhe palestinezëve janë vrarë më shumë se 250 njerëz, kryesisht palestinezë.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë para nisjes së Sekretarit Blinken në rajon se ai do të përsërisë "angazhimin e fortë të SHBA-së për sigurinë e Izraelit" dhe do të "vazhdojë përpjekjet për të rindërtuar lidhjet dhe mbështetjen për popullin palestinez dhe udhëheqësit e tij".

XS
SM
MD
LG