Ndërlidhjet

SHBA-ja zhvillon bisedime tregtare me Kinën


Flamujt amerikanë dhe kinezë.
Flamujt amerikanë dhe kinezë.

Administrata e presidentit të SHBA-së, Joe Biden ka zhvilluar bisedimet e para tregtare me Kinën. Të dyja palët kanë theksuar rëndësinë e marrëdhënies tregtare midis dy vendeve. Bisedimet online u zhvilluan mes përfaqësueses së Tregtisë së SHBA-së, Katherine Tai, dhe zëvendëskryeministrit kinez, Liu Ai.

Zyra e zonjës Tai tha se ajo "prezantoi parimet e politikës tregtare të administratës Biden-Harris dhe angazhimet në rishikimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve tregtare SHBA-Kinë, duke ngritur në bisedime gjithashtu çështje shqetësuese".

Ministria kineze e Tregtisë tha përmes një deklarate se gjatë bisedimeve kishte "shkëmbime të sinqerta dhe konstruktive", raportoi media shtetërore Global Times.

Më herët zonja Tai i tha agjencisë së lajmeve Reuters se SHBA-ja ende përballej me "sfida shumë të mëdha" në marrëdhëniet e tregtare me Kinën.

Administrata e ish-presidentit, Donald Trump ishte përfshirë në një luftë tregtare me Kinën, duke vendosur tarifa për disa mallra kineze. Në janar të vitit të kaluar dy ekonomitë më të mëdha në botë nënshkruan një marrëveshje të ashtuquajtur "Faza 1".

Përmes asaj marrëveshjeje, Pekini premtoi se do të rrisë blerjet produkteve dhe shërbimeve amerikane me të paktën 200 miliardë dollarë gjatë vitit 2020 dhe 2021.

Zonja Tai ka thënë se ajo tani po shikon nëse kushtet e marrëveshjes janë përmbushur nga Pekini.

Disa ekspertë kanë thënë se Kina e ka zbritur në 40% më pak blerjen e mallrave, transmeton BBC.

Deri më tani, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, nuk ka lëvizur nga pozicioni i paraardhësit të tij, Trump, në raport me Kinën.

Të dyja palët kanë rënë dakord të vazhdojnë negociatat e tyre.

Kina ishte e vetmja ekonomi e madhe që shënoi rritje ekonomike pasi u bë vendi i parë i madh që doli nga pandemia.

XS
SM
MD
LG