Ndërlidhjet

Shkarkohet bordi i AKP-së


Kuvendi i Kosovës. Foto nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës. Foto nga arkivi.

Me 65 vota për, 3 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës shkarkuan bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ndërkaq, deputetët nuk kanë miratuar raportin vjetor të kësaj agjencie.

Me kërkesën e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në Kuvendin e Kosovës, të enjten, u diskutua për raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit si dhe shkarkimi i bordit të kësaj agjencie.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjfuca tha se qeveria duhet t'i propozojë kuvendit përbërjen e re të AKP-së.

Pas vendimit të kuvendit, Bajram Zejnullahu, kryesues i bordit tashmë të shkarkuar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), tha për Radion Evropa e Lirë se gjatë periudhës sa ai ka udhëhequr bordin e kësaj agjencie, nuk ka pasur asnjë skandal që të etiketohen si ‘hajna’, ashtu siç i quajti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Nuk kam koment, as unë e as familja ime nuk jemi etiketuar si hajna. Nuk di a ka argumente që na argumenton ai (kryeministri Kurti) si hajna. Për sa vite jam aty, nuk kemi pasur asnjë skandal të vetmit. Unë e kuptoj shumë mirë, politikisht të shkarkon dhe jemi në rregull. Por, në këtë formë me etiketime, nuk e kuptoj”, tha Zejnullahu.

Ndërkaq, Komisioni parlamentar për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti pas shqyrtimit të raportit vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), i rekomandoi Kuvendit të Kosovës mosmiratimin e këtij raporti dhe shkarkimin e bordit të agjencisë.

Ky Komision, po ashtu i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të propozojë përbërjen e re të bordit të AKP-së.

Mimoza Kusari-Lila, ushtruese e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se AKP-ja nuk i ka shërbyer ekonomisë së Kosovës dhe ka pasur performacë të dobët në raport me investimet për zhvillim dhe nxitjen e punësimit.

Ajo ka thënë se mbi 90 për qind e ndërmarrjeve të privatizuara janë kthyer në depo apo hapësira për ndërtim. Një degradim i veçantë, sipas saj, ka ndodhur edhe me tokën bujqësore.

“Ndërprerja e funksionimit të bordit në përbërjen aktuale është domosdoshmëri për t’i hapur rrugë përzgjedhjes së një bordi profesionist, i cili brenda këtij viti do ta përmbyllë aktivitetin e AKP-së, do t’i përcjellë të gjitha rastet që kanë të bëjnë me procesin e likuidimit apo kontesteve që karakterizojnë procesin e privatizimit si dhe do të sigurohen që asetet e mbetura të paprivatizuara, të kthehen në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila.

Opozita: Nuk mund të shuhet agjencia pa ndryshuar ligjin

Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se për ta shuar AKP-në duhet të ndryshohen të paktën dy ligje, përkatësisht Ligji për AKP-në dhe Ligji për dhomën e posaçme të Gjykatës së Apelit.

“Kë dëshiron ta mbyllësh. Nuk mund të mbyllësh pa i ndërruar këto ligje. Duhet të dihet e çfarë do të ndodhë me këto 20 mijë raste. Për të ditur, duhet analizë sepse ka shumë palë të përfshira dhe për këto 20 mijë raste janë qindra miliona euro në pyetje që mund t’i humbë Kosova”, tha Gashi.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelrad Tahiri tha se emërimi i një bordi të ri që thuhet se do të ketë mandat shuarjen e AKP-së, nuk mund të bëhet pa ndryshuar Ligjin për AKP-në.

“Për të shuar dhe për t’ia ndërruar mandatin AKP-së, atëherë do të duhej të procedohej ligji i cili do të propozonte në dispozita kalimtare edhe një bord të përkohshëm, i cili do të kishte mandatin e qartë, pra përmbylljen e punës së AKP-së, një proces i rëndësishëm. Këtë bord që do ta votoni sot, nesër ... nuk mund të kryejë një punë të tillë sepse nuk e lejon ligji, dhe në momentin që del përtej këtyre kornizave ligjore, ata (anëtarët e bordit) bëjnë vepër penale”, tha Tahiri.

Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se duke qenë se për këtë çështje duhet të amendamentohen dy ligjet, kërkohet një raport dhe një analizë para se të merret vendimi, por jo në këtë formë.

Sipas tij, kjo formë e trajtimit të kësaj çështjeje, e kthen Kosovën prapa.

“Janë diku rreth 3.000 lëndë në gjykatat themelore të Kosovës. Pyetja ime e parë është se cili është roli i shtetit dhe qeverisë në këtë temë dhe si do ta trajtojë. Janë mbi 20 mijë lëndë në dhomat e posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Janë të paprivatizuara 817 lloje tjera të asteve. Si do të trajtohen?. Pastaj ka kërkesa kreditore të Trepçës, 1.6 miliard euro si do të trajtohet?”, u shpreh Tahiri.

Kurti: Bordi i AKP-së duhet të shkarkohet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës tha se bordi i AKP-së duhet të shkarkohet, me qëllim të emërimit të një bordi të ri, i cili sipas tij, do të fillojë me procedurat për shuarjen e këtij institucioni.

“Që të shuhet AKP-ja është e rëndësishme të shkarkohet bordi. Dy dekada të pasluftës janë dekada të de-industrializimit nëpërmjet privatizimit dhe kjo do të marrë fund. Kjo është arsye pse na nevojitet një bord i ri që mision ka shuarjen e AKP-së”, tha Kurti.

Armend Muja, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje tha se nga raporti i Agjencisë së Privatizimit të Kosovës, të cilin e kanë pasur në diskutim të mërkurën në Komisionin për Ekonomi ekzistojnë fakte të cilat tregojnë për një dëm që i është bërë ekonomisë nga procesi i privatizimit.

“Në kuadër të raportit kemi gjetur disa fakte që kërkojnë reagim emergjent. E para prej 500 ndërmarrjeve që janë shitur kanë gjeneruar 600 milionë euro. Në vendet e rajonit, Evropës Qendrore e Lindore për një ndërmarrje të vetme janë gjeneruar 500 milionë euro. Këto kanë qenë 90 për qind të ekonomisë së Kosovës e që si rezultat i një privatizimi të dobët janë humbur 40 mijë vende pune”, tha ai.

Futja në rend dite e raportit të AKP-së dhe kërkesa për shkarkimin e bordit është kundërshtuar nga partitë opozitare në Kosovë.

AKP: Kritikat për performacë të dobët, të pabaza dhe tendencioze

Një ditë më parë, bordi i AKP-së, përmes një reagimi publik ka konstatuar se deklaratat publike në lidhje me performancë të dobët, janë të pabazuara dhe tendencioze, andaj si të tilla i kanë konsideruar qëndrime politike të vetëm një grupi parlamentar.

“Bordi e fton publikisht Mimoza Kusari-Lila dhe gjithë deputetët e GP të LVV brenda Komisionit, që të bëjnë publike se cila pjesë konkrete e raportit vjetor të punës arsyeton qëndrimin e tyre për mungesë të performancës së Agjencisë. Është për keqardhje që në mungesë të fakteve dhe argumenteve për vlerësim profesional të raportit vjetor, deputetët e një grupi parlamentar përdorin argumente politike të çuditshme, të përgjithësuara dhe të pakuptueshme për ne dhe opinionin publik, duke tentuar që të njollosin punën me përkushtim të gjithë stafit të Agjencisë, e cila është zhvilluar në rrethana jo të lehta të cilat e kanë karakterizuar vitin 2020”, thuhet në reagimin e bordit të AKP-së.

Qeveria e Kosovës në planin qeverisës katërvjeçar ka paraparë që AKP-ja të shuhet dhe të transfermohet në agjenci brenda qeverisë dhe të krijohet Agjencia Zhvillimore për udhëheqjen e politikave zhvillimore ndërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura.

Pasuria e Kosovës, sipas planit të qeverisë do të mbrohet përmes krijimit të Fondit Sovran, i cili do t'i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t'i valorizuar ato, për të mundësuar investime nga jashtë dhe qasje në tregje të huaja të kapitalit.

Procesi i privatizimit në Kosovë ka nisur në vitin 2003 dhe vazhdimisht është kritikuar për mostransparencë, korrupsion e në disa raste është cilësuar edhe si proces i “shkatërrimit” të ndërmarrjeve shoqërore. Ky proces ka filluar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM). Në vitin 2008 është pasuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Në Kosovë, nga 3.951 asete të identifikuara, deri më tani janë privatizuar 1.762 prona, ndërkaq të pa privatizuara kanë mbetur edhe 2.189. Këto prona, në 116 valë të privatizimit janë shitur në vlerë prej rreth 760 milionë euro.

Ndërmarrjet shoqërore në Kosovë janë shitur përmes metodës të quajtur spin-off i rregullt, metodë kjo që lejon ndryshimin e destinimit të ndërmarrjes. Kurse, ndërmarrjet që janë konsideruar të mëdha janë privatizuar me metodën spin-off special, që nuk lejon ndërrimin e destinimit të ndërmarrjes.

Gjatë këtij procesi janë shitur edhe toka bujqësore, industriale, komerciale dhe toka ndërtimore. Në raportin e AKP-së, të publikuar në korrik të vitit të kaluar, thuhet se janë privatizuar 840 toka të këtyre kategorive.

XS
SM
MD
LG