Ndërlidhjet

Vaksinat në vendet e varfra po mbarojnë, thotë OBSH


Një qytetar duke u vaksinuar kundër koronavirusit në Afrikën e Jugut.
Një qytetar duke u vaksinuar kundër koronavirusit në Afrikën e Jugut.

Një numër i madh i vendeve më ta varfra, që marrin vaksina kundër koronavirusit përmes një programi global të shpërndarjes, nuk kanë doza të mjaftueshme për të vazhduar vaksinimin, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Këshilltari i lartë i OBSH-së, Bruce Aylward, tha se programi COVAX ka shpërndarë 90 milionë doza në 131 vende.

Por, ai tha se kjo shifër nuk është as afër asaj që kërkohet për të mbrojtur popullatat nga koronavirusi.

Mungesat vijnë në kohën kur disa vende në Afrikë po përballen me valën e tretë të infeksioneve.

Të hënën, presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, tha se vendet e pasura duhet t’i japin fund grumbullimit të vaksinave.

Ai tha se në nivel kontinental, Afrika ka dhënë deri më tash vetëm 40 milionë vaksina - për më pak se 2% të popullsisë.

Për të adresuar këtë çështje, Ramaphosa tha se Qeveria e tij është duke punuar me COVAX-in për të krijuar një qendër rajonale, për të prodhuar më shumë vaksina në Afrikën e Jugut.

COVAX është krijuar vitin e kaluar, për të siguruar shpërndarjen e vaksinave në të gjithë botën.

Sipas idesë, vendet më të pasura do të subvenciononin kostot për vendet më të varfra.

Uganda, Zimbabve, Bangladeshi dhe Tobago janë vetëm disa nga vendet që kanë raportuar mungesë vaksinash në ditët e fundit.

XS
SM
MD
LG