Ndërlidhjet

Gresa Caka – Nimani pranon detyrën e kryetares së Gjykatës Kushtetuese


Kryetarja e re e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka-Nimani (majtë) dhe ish- kryetarja, Arta Rama-Hajrizi (djathtë).
Kryetarja e re e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka-Nimani (majtë) dhe ish- kryetarja, Arta Rama-Hajrizi (djathtë).

Gresa Caka – Nimani, është kryetare e re e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe ajo të premten (25 qershor) mori detyrën nga kryetarja e deritashme, Arta Rama – Hajrizi.

Sipas një njoftimi të Gjykatës Kushtetuese, kryetarja Caka-Nimani në ceremoninë e pranimit të detyrës, nënvizoi rëndësinë e pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese.

“Dhe rolit të saj përcaktues në ruajtjen e rendit e kushtetues dhe vlerave kushtetuese, balancimin dhe ndarjen e pushteteve, avancimin e sundimit të ligjit e rendit demokratik, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve Kosovës”, citohet të ketë thënë Caka-Nimani.

Mandati i kreut të Gjykatës Kushtetuese është tri vjet.

Kryetarja e deritashme Arta Rama – Hajrizi ka thënë se institucioni që ai drejtoi ka kaluar “me sukses vështirësitë, duke marrë vlerësimin si një prej gjykatave më të mira në rajon".

“Çka është më e rëndësishmja, konsolidimin e rolit burimor të Gjykatës, e që është mbrojtja e frymës së Kushtetutës, e sistemit kushtetues dhe e të drejtave dhe lirive të secilit qytetar të Republikës së Kosovës”, citohet të ketë thënë Rama – Hajrizi.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka uruar kryetaren e re të Gjykatës Kushtetuese duke theksuar se pavarësia e gjyqësorit është një gurëthemel i çdo demorkacie.

Ai konfirmoi përkushtimin e SHBA-së për të mbështetur institucionet e Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit.

XS
SM
MD
LG