Ndërlidhjet

Partia Komuniste Kineze ndërhyn edhe në tekstet shkollore


Nxënësit e shkollave të mesme të veshur me maska ​​për fytyrën shihen brenda një klase në një shkollë të Vuhanit. Fotografi nga arkivi.
Nxënësit e shkollave të mesme të veshur me maska ​​për fytyrën shihen brenda një klase në një shkollë të Vuhanit. Fotografi nga arkivi.

Kur nxënësit kinezë filluan vitin e ri shkollor të mërkurën (1 shtator) gjetën tekste të reja mësimore në të cilat përfshiheshin mendimet e presidentit të Kinës, Xi Jinping.

Partia Komuniste e Kinës synon të fuqizojë kultin e presidentit tek fëmijët dhe të krijojë një brez të ri patriotësh.

Ministria e Arsimit e Kinës ka thënë se do të përfshijë ideologjinë politike në planprogramin mësimor, nga shkollat fillore e deri tek nivelet e diplomimit.

Ndërsa Qeveria kineze ka thënë se mësuesit e shkollave fillore duhet të "mbjellin farat e dashurisë për partinë, vendin dhe socializmin".

Kur i hapën librat e rinj shkollorë, nxënësit kanë lexuar citatet e presidentit të shoqëruara me fotografitë e tij.

Thëniet e tij kishin të bënin me arritjet e qytetërimit kinez dhe rolin e Partisë Komuniste në zbutjen e varfërisë dhe luftimin e pandemisë së COVID-19.

“Gjyshi Xi Jinping është shumë i zënë me punë, por pavarësisht se sa i zënë është, ai prapë i bashkohet aktiviteteve tona dhe kujdeset për rritjen tonë", thuhej në një libër shkollor.

Disa prindër u shprehën të shqetësuar në lidhje me këtë planprogram, por refuzuan të intervistoheshin nga AFP, nga frika se do të kishin probleme me autoritetet nëse flasin për mediat e huaja.

Megjithatë, komentuesit anonim në rrjetet sociale e kanë kundërshtuar masën.

"Shpëlarja e trurit fillon që nga fëmijëria", shkroi një përdorues i platformës së mediave sociale Weibo.

"A do të mund ta refuzojmë këtë?" pyeti një tjetër.

Wang Fei-Ling, një profesor i çështjeve ndërkombëtare në Georgia Tech Institute në SHBA , tha se duke marrë parasysh atë që ka ndodhur në katër dekadat e fundit “shumë prindër dhe studentë mund të mos e pëlqejnë këtë por shumë pak prej tyre do të guxonin ta kundërshtonin publikisht".

"Mbase shumica nuk do ta marrin shumë seriozisht", tha ai.

XS
SM
MD
LG