Ndërlidhjet

Bislimi: Marrëveshja për targat pret miratimin e Beogradit


Bislimi: Po presim që edhe pala serbe të pajtohet për targat
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:10 0:00

Bislimi: Po presim që edhe pala serbe të pajtohet për targat

Delegacioni serb në bisedimet me Kosovën në Bruksel e ka përfunduar takimin me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak mirëpo nuk kanë dhënë përgjigje nëse e pranojnë draft dokumentin për zgjidhjen e çështjes së targave të automjeteve, e cila ka shkaktuar tension gjatë ditëve të fundit në veri të Kosovës.

Burime të Bashkimit Evropian i kanë thënë gazetarit të Radios Evropa e Lirë në Bruksel se negociatat pritet të vazhdojnë edhe nesër, më 30 shtator.

Delegacioni serb udhëhiqet nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Pa marrëveshje, veriu vazhdon të jetë i bllokuar
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:57 0:00

Më herët, shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, tha se është finalizuar një draft-dokument për zgjidhjen e çështjes së targave, me ndërmjetësimin e BE-së, mirëpo Beogradi edhe nuk e ka dhënë pëlqimin.

“Kemi arritur te një draft përfundimtar i cili dakorduar pothuajse në tërësi ka mbetur vetëm që pala serbe të japë dakordimin final, nëse po, mund të fillojë zbatimi i marrëveshjes shumë shpejt”, tha shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi.

Marrëveshja, sipas tij, parasheh tri elemente:

  • Të shtunën me datën 2 tetor, forcat e KFOR-it do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës.
  • Me datën 4 tetor, në ora 08:00 do të fillojë zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve, me të cilat, si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra-tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër.
  • Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. Ky grup do të ketë gjashtë muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe.

Ndërkohë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se dialogu mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE-ja, nuk ka përfunduar dhe se negociatat vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara thonë se është bërë përparim, por negociatat ende vazhdojnë.

“Ne inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen hapur dhe seriozisht”, thuhet në një postim në rrjetin Twitter të të ngarkuarit me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Nicholas Giacobbe.

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë po marrin pjesë në takimet në Bruksel, që kanë për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për situatën në veri, teksa rrugët në Jarinjë dhe Bërnjak, për të dhjetën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, të mërkurën u takua në Bruksel me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Escobar, që njëherësh është i dërguar i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se ai po mbështet përpjekjet e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

“Prioritet numër një është që të ulen tensionet. Ato janë shumë të larta tash dhe duhet të ulen menjëherë”, tha Escobar.

Zyrtari amerikan tha se duhet që urgjentisht të gjendet zgjidhje për çështjen e targave të automjeteve dhe që palët t’i kthehen dialogut, përmes të cilit do të zgjidhen çështjet e hapura.

Më herë i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se ka zhvilluar takime të ndara me dy kryenegociatorët, me të cilët ka biseduar për gjetjen e mënyrave për tejkalimin e krizës aktuale.

Qytetarët serbë, me kamionë dhe mjete të tjera të rënda kanë bllokuar këto dy rrugë nacionale në atë pjesë në shenjë proteste për vendosjen e masës së reciprocitetit për automjetet me targa nga Serbia.

Ndërkohë, në 24 orët e fundit nuk është raportuar për ndonjë incident në afërsi të asnjërës pikë kufitare, Jarinjë e Bërnjak. Njësitë speciale të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë pranë bllokadave, ndërkohë që misioni i KFOR-it ka rritur prezencën në këtë pjesë.

XS
SM
MD
LG