Ndërlidhjet

Gjermania i kërkon BE-së propozim sanksionesh kundër Republikës Sërpska


Flamuri i Bashkimit Evropian dhe disa vendeve anëtare.

Gjermania e ka ngritur para organeve të Bashkimit Evropian, çështjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve të Republikës Sërpska, të cilët kërcënojnë Marrëveshjen e Dejtonit, ka mësuar të mërkurën Radio Evropa e Lirë nga burime diplomatike në Bruksel.

Marrëveshja e Dejtonit ka krijuar dy entitete në Bosnje: Federatën Myslimane-Kroate dhe Republikën Sërpska.

Vendi qeveriset dhe administrohet sipas linjave etnike, të përcaktuara nga Marrëveshja, dhe ka një qeveri qendrore, e cila shpesh është jofunksionale.

Gjermania besohet se i ka kërkuar Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, që të hartojë një dokument, i cili propozon sanksione kundër zyrtarëve të këtij entiteti të Bosnje-Hercegovinës.

Kjo çështje është diskutuar në një takim të Komitetit për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, në nivel të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, të mbajtur më 17 nëntor.

Lufta në Bosnje - retorikë a realitet?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:10:48 0:00

Këtë iniciativë e ka mbështetur edhe Republika Çeke.

Disa burime nga ky takim kanë konfirmuar se kjo iniciativë ka hasur në rezistencë të Hungarisë.

Kujtojmë se më 6 nëntor, kryeministri hungarez, Viktor Orban është takuar në Banja Llukë me anëtarin serb të presidencës trepalëshe të Bosnjës, Milorad Dodik, në një "vizitë miqësore".

A nevojitet konsensus për një dokument të tillë?

Përgatitja e një dokumenti rreth opsioneve për sanksione, është një procedurë që kryhet nga Zyra Evropiane për Veprim të Jashtëm.

Kjo procedurë është e rregullt, kur çështja e sanksioneve të një vendi apo subjekti ngrihet në nivel të BE-së.

Përgatitja e këtij dokumenti në aspektin procedural nuk kërkon anonimitet të vendeve të BE-së, megjithatë, siç kanë treguar burimet diplomatike, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm, preferon mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare për të dalë me një dokument dhe propozime.

Konsiderohet që nëse nuk ka pajtim në këtë fazë fillestare, atëherë kjo gjë tregon se në cilin drejtim do të shkojë diskutimi për sanksionet në nivel të BE-së.

Vendimi për sanksione merret me konsensus të të gjitha shteteve anëtare të bllokut evropian.

Më 2011, BE-ja ka miratuar një kornizë, përmes së cilës, parashihet vendosja e masave kufizuese kundër personave të caktuar fizikë dhe juridikë, aktivitetet e të cilëve cenojnë sovranitetin, integritetin territorial, dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Bosnjës.

Sipas kësaj kornize, mund të sanksionohen persona që kërcënojnë sigurinë dhe dëmtojnë Marrëveshjen e Dejtonit.

Tani për tani, lista është boshe.

“Nëse dakordohemi, në vendin e parë do të jetë emri i Milloard Dodikut”, ka thënë për REL, një zyrtar i lartë i BE-së.

Udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, është duke kërcënuar me ndarjen e Republikës Sërpska - entitet i banuar me shumicë serbe - nga pjesa tjetër e Bosnjës.

Dodik, përfaqësuesi serb në Presidencë, ka kërcënuar se do të tërhiqet nga institucionet e nivelit shtetëror, duke përfshirë gjyqësorin, ushtrinë dhe administratën tatimore të Bosnjës.

Ai ka lënë mënjanë shqetësimet e ndërkombëtarëve se një agjendë e tillë mund të shkaktojë konflikt të ri në Bosnje.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë më herët se “nuk ka asnjë mënyrë kushtetuese” që entiteti me shumicë serbe të tërhiqet njëanshëm nga institucionet kombëtare.

Dodik ka thënë se institucionet nga të cilat dëshiron të largohet, nuk janë përfshirë në Kushtetutën e dalë nga Dejtoni, por janë krijuar përmes amendamenteve.

XS
SM
MD
LG