Ndërlidhjet

Aksidenti në Meksikë: Autoritetet godasin trafikantët me njerëz


Kamioni i cili u përplas në një rrugë në shtetin Chiapas në Meksikë.

Meksika ka krijuar një grup pune për të luftuar trafikimin e njerëzve, pas përplasjes së kamionit që rezultoi me vdekjen e 54 personave, shumica e të cilëve thuhet se ishin emigrantë të Amerikës Qendrore.

Ministri i Jashtëm, Marcelo Ebrard, tha se pjesë e grupit do të jenë njerëz nga Meksika, Guatemala, Republika Domenikane, Ekuadori dhe SHBA.

Autoritet janë duke punuar në identifikimin e viktimave të aksidentit, derisa të lënduarit vazhdojnë të trajtohen në spitale.

Më shumë se 150 persona ishin në kamion, raporton BBC.

Raportohet se të enjten pasdite, automjeti ishte duke lëvizur me shpejtësi kur u fut në një kthesë të mprehtë dhe goditi një urë për këmbësorë.

Ministri Ebrard tha se grupi punues do të hetojë dhe të sjellë para drejtësisë trafikantët e njerëzve, që janë të përfshirë në këtë rast.

Shumica e njerëzve në kamion ishin nga Guatemala, por kishte të tjerë nga Hondurasi, Ekuadori dhe Republika Dominikane. Zyrtarët e urgjencës thanë se në mesin e viktimave kishte edhe fëmijë.

Duke ikur nga varfëria dhe dhuna në Amerikën Qendrore, çdo vit, qindra mijëra migrantë, përpiqen të kalojnë përmes Meksikës për të shkuar në SHBA.

Kufiri ndërmjet SHBA-së dhe Meksikës, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit (IOM), është pikë-kalimi më vdekjeprurës në botë.

Sipas të dhënave të kësaj organizate, vetëm këtë vit, të paktën 650 njerëz kanë vdekur në përpjekje për të kaluar kufirin - më shumë se në çdo vit tjetër që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave nga IOM-i.

XS
SM
MD
LG