Ndërlidhjet

Rregullohet problemi, rifillon vaksinimi në Prishtinë


Qendra e vaksinimit në Prishtinë.
Qendra e vaksinimit në Prishtinë.

Për disa orë procesi i vaksinimit në qendrën e vaksinimit për COVID-19, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ishte ndërprerë për shkak të disa problemeve.

Menaxheri i kësaj qendre, Niman Bardhi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se nga ora 10:00 deri në ora 14:00, qytetarët nuk kanë mundur të vaksinohen.

“Vaksnimi ka vazhduar sipas planit. Sistemi tani është në funksion dhe procesi i vaksinimit është duke vazhduar pa asnjë problem”, tha Bardhi.

Gjatë paradites, Bardhi tha se “procesi i vaksinimit është duke vazhduar duke bërë regjistrimin e qytetarëve në librat e protokollit, dhe më pas do të futen të dhënat në sistem sapo të funksionalizohet”.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë njoftoi më 11 dhjetor se janë regjistruar edhe dhjetë raste të reja me koronavirus. Rastet e reja dolën pas testimit të, 2,274 mostrave.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në Kosovë aktualisht janë 324 raste aktive me koronavirus.

Sa i përket vaksinimit, brenda 24 orëve janë dhënë 2.981 vaksina kundër koronavirusit.

Që nga fillimi i fushatës së vaksinimit në Kosovë në mars, në gjithë vendin janë dhënë 1.643.382 doza të vaksinës.

Deri të shtunën më 11 dhjetor, të dy dozat e vaksinës i kanë marrë 772.105 qytetarë.

XS
SM
MD
LG