Ndërlidhjet

Publikohet propozimi francez për zgjidhjen e kontestit Shkup-Sofje


Presidenti francez, Emmanuel Macron. Fotografi nga arkivi.
Presidenti francez, Emmanuel Macron. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka shpalosur para partnerëve të koalicionit qeverisës propozimin francez për zgjidhjen e kontestit mes Shkupit dhe Sofjes.

Ai ka thënë se në të janë përfshirë vërejtjet e palës maqedonase, ku, siç ka theksuar, pranohet qartë dhe pa kushtëzime gjuha maqedonase.

Përmes propozimit francez synohet tejkalimi i dallimeve që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë dhe zhbllokimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim në familjen evropiane.

“Pozita ku ndodhemi është e volitshme për ne. Para nesh kemi propozim që ngërthen në vete propozimet dhe vërejtjet tona”, tha Kovaçevski.

“Në propozimin evropian kemi pozicione të definuara në mënyrë të qartë për pranimin e gjuhës maqedonase, si dhe që protokolli të mos jetë në kornizën negociuese. Pozicioni ynë për fillimin pa kushte të procesit negociues dhe mbajtja e konferencës me BE-në gjithashtu janë përfshirë në propozim”, ka ka thënë ai.

Në dokumentin e njohur si 'propozim francez', të cilin e ka publikuar Qeveria e Maqedonisë së Veriut në faqrn e saj zyrtare, thuhet se “lidhur me përkthimet e legjislacionit të Bashkimit Evropian, BE-ja nënvizon deklaratat e përshtatshme të njëanshme të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për sa i përket gjuhës maqedonase”.

Në këtë dokument gjithashtu theksohet se në procesin e zgjerimit të BE-së, thelbësor mbetet bashkëpunimi rajonal dhe raportet ndërfqinjësore.

“Ia rikujtojmë rëndësinë e rezultateve të prekshme dhe zbatimin e marrëveshjeve bilaterale, përfshirë këtu dhe Marrëveshjen e Prespës, si dhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”.

Në pyetjen e gazetarëve rreth kundërshtimit të opozitës maqedonase ndaj këtij propozimi, Kovaçevski tha se obligim i çdo politikani është që të mendojë për të ardhmen e gjeneratave të reja dhe jo për karrierën politike dhe rezultatin zgjedhor.

“I bëj thirrje VMRO DPMNE-së që, nëse një herë nuk mbështetën anëtarësimin në NATO (duke mos e pranuar Marrëveshjen e Prespës), tani të bisedojmë, të shikohet propozimi dhe bashkërisht të marrim vendim që shteti të shkojë në drejtim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Me marrjen e vendimit të duhur ne fillojmë bisedimet ndërqeveritare me BE-në”, ka thënë ai.

Partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes një deklarate me shkrim ka thënë se propozimi francez në formë ideje paraqet një bazë të mirë për kapërcimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes.

Ndërsa, partia maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE, ka thënë se është duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë për kanalizimin e revoltës së qytetarëve brenda dhe jashtë Kuvendit.

Nga VMRO DPMNE-ja kanë thënë se propozimi francez nuk duhet të kalojë, pasi siç thonë ata, Maqedonia e Veriut me këtë propozim del si palë e nënshtruar dhe nuk do të arrijë qëllimin për anëtarësim në BE.

“Propozimi është ultimatum për ardhmërinë e Maqedonisë sonë, propozim që është diktat për kërkesa megalomane dhe aspirata historike ndaj vendit tonë, kështu që për këso propozime përgjigja është: Jo faleminderit!”, ka thënë të premten, Hristian Mickoski, kryetar i VMRO DPMNE-së.

Nga Sofja zyrtare nuk ka asnjë reagim, veç deklaratës së ministres së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Teodora Gençoska, e cila gjatë ditës së enjte ka theksuar se nuk ka propozim të dytë francez.

XS
SM
MD
LG