Ndërlidhjet

Vdekja e 22-vjeçares "pa shami" shkakton zemërim në Iran


Protestat lëkundin Iranin pas vdekjes së gruas së arrestuar nga policia e moralit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:10 0:00

Protestat lëkundin Iranin pas vdekjes së gruas së arrestuar nga policia e moralit

AP

Irani është përfshirë ditët e fundit nga protestat pas vdekjes së një gruaje 22-vjeçare, e cila ishte arrestuar nga e ashtuquajtura polici e moralit, pasi nuk kishte veshur në mënyrën e duhur shaminë e saj në përputhje me rregullat islamike.

Shumica e protestuesve ishin gra dhe ato hoqën shamitë e tyre të detyrueshme, apo hixhabet gjatë marshimit pas vdekjes së Mahsa Aminit, e cila u ndalua nga policia e mbikëqyrjes së sjelljes nën pretendimet për mosvënien si duhet të shamisë së saj.

Videot në internet tregojnë gra që valëvisin shamitë e tyre, duke brohoritur. Të tjera i kanë djegur ato ose kanë prerë flokët e tyre në shenjë zemërimi ndaj rastit që ndodhi.

Vdekja e Aminit ka zemëruar shumë iranianë, veçanërisht të rinjtë, të cilët e shohin këtë ngjarje si aktin më të fundit të një politike të ashpër të Republikës Islamike ndaj disidentëve dhe trajtimit gjithnjë e më të dhunshëm të grave të reja nga policia mbikëqyrëse e sjelljes.

Në disa nga demonstratat, protestuesit janë përleshur me policinë. Në kryeqytetin Teheran janë parë re të mëdha gazi lotsjellës.

Ndërkohë, vullnetarët motoçiklistë të njohur si "Basij", paramilitarë që bëjnë pjesë në Gardën Revolucionare të Iranit, kanë ndjekur dhe rrahur demonstruesit – siç ka ndodhur edhe në protestat e tjera viteve të fundit për ujë, ekonominë e rënduar të vendit dhe arsye të tjera, protesta të cilat janë shtypur me dhunë.

Megjithatë, disa demonstrues vazhdojnë të brohorasin "vdekje diktatorit", duke kundërshtuar sundimin e liderit suprem Ali Khamenei dhe teokracinë e Iranit, pavarësisht kërcënimeve për arrestim, burgim dhe madje edhe mundësinë e një dënimi me vdekje.

Le të hedhim një vështrim mbi arsyen që nxiti protestat dhe çfarë mund të sjellin ato.

Si nisën protestat në Iran?

Policia iraniane e mbikëqyrjes së sjelljes e arrestoi 22-vjeçaren Amini më 13 shtator në Teheran, ku kishte udhëtuar me vëllain e saj nga qyteti i vogël Saqez, në rajonin kurd. Ajo humbi ndjenjat në një rajon policor dhe vdiq tri ditë më pas.

Policia e ndaloi atë për mbajtjen në mënyrë jo të duhur të hixhabit. Irani kërkon që gratë të mbajnë shaminë në një mënyrë që t'i mbulojë plotësisht flokët e tyre kur janë në publik. Vetëm Afganistani nën sundimin e talibanëve zbaton tashmë në mënyrë aktive një ligj të ngjashëm – madje edhe një vend tepër konservator si Arabia Saudite e ka anuluar zbatimin e tij gjatë viteve të fundit.

Policia mohoi keqtrajtimin e Aminit dhe tha se ajo ka vdekur nga një atak në zemër. Presidenti Ebrahaim Raisi, i cili të mërkurën do të flasë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, premtoi se kjo ngjarje do të hetohet.

Familja e Aminit thotë se ajo nuk kishte histori problemesh me zemrën dhe se iu ndalua ta shihnin trupin e saj përpara se të varrosej. Demonstratat të shtunën shpërthyen pas funeralit të saj në qytetin kurd të Saqezit dhe u përhapën shpejt në pjesë të tjera të vendit, përfshirë Teheranin.

Si trajtohen gratë në Iran?

Gratë në Iran kanë qasje të plotë në arsim, punojnë jashtë shtëpisë dhe mbajnë poste publike. Por, atyre u kërkohet të vishen në mënyrë modeste në publik, çka përfshin mbajtjen e hixhabit, si dhe veshjet e gjata dhe të lirshme. Burrave dhe vajzave të pamartuara u ndalohet të qëndrojnë së bashku.

Rregullat, të cilat datojnë në ditët pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, zbatohen nga policia e moralit. Këto forca, të njohura zyrtarisht si Patrulla Udhëzuese, janë të vendosura nëpër zona publike. Ato përbëhen nga burra dhe gra.

Grave iraniane u kërkohen “teste të virgjërisë” para martesës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:49 0:00

Zbatimi i këtyre rregullave u lehtësua nën regjimin e ish-presidentit Hassan Rouhani, një politikan relativisht i moderuar, i cili akuzoi policinë e moralit për sjellje tepër agresive. Në vitin 2017, kreu i kësaj force rendi tha se nuk do t’i arrestonte më gratë për shkelje të kodit të veshjes.

Por, nën regjimin e presidentit Raisi, një konservator i linjës së ashpër që u zgjodh vitin e kaluar, policia e moralit duket se s’ka të ndalur. Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut shprehet se gratë e reja janë goditur me shuplakë në fytyrë, janë rrahur me shkopinj dhe janë marrë me forcë në automjetet e policisë gjatë muajve të fundit.

Si u është përgjigjur Irani protestave?

Udhëheqësit iranianë janë zotuar të hetojnë rrethanat e vdekjes së Aminit, ndërkohë që akuzojnë vende të huaja të paidentifikuara dhe grupe në mërgim të opozitës për shfrytëzimin e këtij preteksti për të nxitur trazira. Ky ka qenë një model i zakonshëm në çdo protestë që është bërë në vitet e fundit.

Klerikët iranianë në pushtet i shohin Shtetet e Bashkuara si një kërcënim për Republikën Islamike dhe besojnë se zakonet perëndimore minojnë shoqërinë iraniane. Vetë Khamenei i ka cilësuar të ashtuquajturat protesta "me ngjyra" në Evropë dhe gjetkë si ndërhyrje të huaja - dhe jo si njerëz që demonstrojnë për më shumë të drejta.

Tensionet kanë qenë veçanërisht të larta që kur ish-presidenti Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin dhe vendosi sanksione ndaj shtetit islamik. Për dy vitet e fundit, administrata e Bidenit ka punuar me aleatët evropianë për të ringjallur marrëveshjen, por negociatat duken të bllokuara pasi ekspertët paralajmërojnë se Irani ka mjaftueshëm uranium të pasuruar për një bombë bërthamore nëse vendos të ndërtojë një të tillë.

Republika Islamike këmbëngul se programi i saj është paqësor.

Të mërkurën guvernatori i Teheranit tha se autoritetet arrestuan tre shtetas të huaj gjatë protestave në kryeqytet, pa dhënë detaje. Forcat iraniane të sigurisë kanë arrestuar të paktën 25 persona, dhe guvernatori i provincës së Kurdistanit thotë se tre persona janë vrarë nga grupet e armatosura gjatë trazirave që lidhen me protestat, por pa dhënë detaje.

Aktivistët dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë fajësuar forcat iraniane të sigurisë për vrasjen e protestuesve në demonstrata të tjera, si ato për çmimet e benzinës më 2019.

A mund të rrëzojnë protestat Qeverinë e Iranit?

Klerikët në pushtet të Iranit u kanë rezistuar prej dekadash ndaj disa valë protestash, eventualisht duke i shtypur ato me forcë brutale.

Sfida më serioze ndaj sundimit të klerikëve ishte Lëvizja e Gjelbër që u shfaq pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të vendit në vitin 2009 dhe bënte thirrje për reforma të gjera; miliona iranianë dolën në rrugë.

Autoritetet u përgjigjën me një goditje brutale, me Gardën Revolucionare dhe milicinë Basij që hapën zjarr ndaj protestuesve dhe nisën një valë arrestimesh. Liderët e opozitës u vendosën në arrest shtëpie.

Në mesin e të vrarëve ishte edhe Neda Agha Soltan, një grua 27-vjeçare që u bë një ikonë e lëvizjes protestuese pasi u qëllua dhe u gjakos për vdekje në një video të parë nga miliona njerëz në mediat sociale.

Përgatiti: Besmir Nenaj
XS
SM
MD
LG