Ndërlidhjet

A mund të mbijetojë diplomacia mes krizës së vazhdueshme në Lindjen e Mesme?

Pasojat e sulmeve izraelite në qytetin jugor libanez të Tiros, më 1 qershor.
Pasojat e sulmeve izraelite në qytetin jugor libanez të Tiros, më 1 qershor.

Përpjekjet diplomatike për ta frenuar zgjerimin e krizës në Lindjen e Mesme po hynë këtë javë në një fazë vendimtare, ndërkohë që zyrtarët amerikanë punuan për t’i mbajtur gjallë bisedimet me Iranin midis tensioneve në rritje në rajon.

Më 2 qershor, në të njëjtën ditë kur zyrtarë izraelitë dhe libanezë zhvilluan rundin e katërt të bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Uashington, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i tha Kongresit se mbetet optimist se negociatat bërthamore me Teheranin mund të rifillojnë pavarësisht pasigurive në rritje rreth një armëpushimi të brishtë dhe kërcënimeve të reja lidhur me Ngushticën e Hormuzit.

Rubio këmbënguli gjithashtu se lehtësimi i sanksioneve do të mbetej i lidhur me programin bërthamor të Iranit dhe jo me ndonjë rihapje të rrugëve kryesore detare.

Ndërkohë, aktorët e lidhur me Iranin në gjithë rajonin vazhduan t’i testonin kufijtë e armëpushimit të brishtë, ndërsa Hezbollahu hodhi poshtë një propozim për “armëpushim të pjesshëm” dhe zyrtarët ushtarakë amerikanë raportuan sulme të reja raketore nga Irani kundër objektivave rajonale.

Për ta kuptuar më mirë gjendjen e bisedimeve me Iranin dhe nëse rajoni po lëviz drejt një rendi të ri strategjik, Radio Evropa e Lirë bisedoi me Dania Arayssi, drejtuese programi dhe analiste në Institutin për Strategji dhe Politikë, Neë Lines. Puna e këtij instituti fokusohet në Liban dhe Lindjen e Mesme.

Radio Evropa e Lirë: Ndërsa Uashingtoni po ndjek njëkohësisht bisedimet izraelito-libaneze dhe negociatat më të gjera me Iranin, sa të rëndësishme janë takimet e sotme? A përfaqësojnë ato përparim real apo janë kryesisht simbolike në këtë fazë?

Dania Arayssi: Irani gjithmonë pëlqen ta sjellë Libanin në çdo negociatë me SHBA-në, por mendoj se është e rëndësishme të dallohen këto dy elemente. Ajo që po ndodh në Liban është se Qeveria libaneze po përpiqet ta rikthejë sovranitetin e saj, territorin e saj dhe kontrollin mbi kufijtë e saj, dhe kjo është diçka që ajo është përpjekur ta bëjë për një kohë shumë të gjatë.

Dania Arayssi.
Dania Arayssi.

Por, mendoj se Hezbollahu, si një organizatë terroriste në Liban, po përpiqet të ndjekë urdhrat e Teheranit, dhe vazhdimi i lëshimit të raketave dhe sulmeve ndaj Izraelit shpesh ndodh në momente kur ka ngadalësime ose pengesa në negociatat midis Iranit dhe SHBA-së. Teherani po e përdor Hezbollahun si element në Liban për të mbajtur presion mbi Izraelin. Qeveria libaneze ka qenë shumë e qartë se dëshiron të punojë me Izraelin për të zgjidhur këto çështje dhe për të çarmatosur Hezbollahun. Mendoj se takimet e sotme ishin produktive dhe pozitive, dhe e prisja këtë, sepse të dyja palët bien dakord për të njëjtin synim.

Pres që autoritetet libaneze të punojnë me Izraelin, nën ndërmjetësimin amerikan, për të ndarë informacione të inteligjencës mbi Hezbollahun, veçanërisht lidhur me armët dhe depot e armatimit në Liban. Kjo mund të ndihmojë në arritjen e objektivave me përfitim të ndërsjellë. Gjithashtu pres që armëpushimi midis Libanit dhe Izraelit të vazhdojë dhe potencialisht të zgjerohet, ndërsa SHBA-ja të luajë rol kyç ndërmjetësues.

Kur bëhet fjalë për Iranin, mendoj se Teherani po përpiqet gjithashtu ta përdorë Libanin si mjet presioni në negociata. Zyrtarët iranianë kanë bërë deklarata që sugjerojnë se aktiviteti ushtarak izraelit në Liban ndikon në ritmin e negociatave me Uashingtonin. Edhe një herë, Libani po përdoret si mjet për të ngadalësuar bisedimet dhe për të komplikuar përpjekjet për të zgjidhur konfliktin më të gjerë. SHBA-ja ka qenë e qartë se Libani nuk duhet të jetë pjesë e këtyre negociatave dhe se ai është një shtet sovran i veçantë.

Megjithatë, nuk pres që negociatat me Iranin të prodhojnë një rezultat domethënës nëse nuk ka lëvizje në dosjen bërthamore. Administrata aktuale propozoi një ngrirje 20-vjeçare të aktiviteteve bërthamore të Iranit, të cilën Teherani e refuzoi. Çdo marrëveshje e ardhshme bërthamore do të duhet gjithashtu të marrë parasysh shqetësimet e sigurisë së Izraelit, sepse Irani shihet si një kërcënim i madh për Izraelin nga pikëpamja gjeografike dhe strategjike.

Radio Evropa e Lirë: Hezbollahu ka alternuar mes të qenët i hapur për një armëpushim dhe refuzimit të elementeve kyç të marrëveshjeve të propozuara. Si duhet t’i interpretojmë këto mesazhe të përziera dhe çfarë tregojnë ato për presionet me të cilat përballet grupi?

Dania Arayssi: Hezbollahu është i ndarë brenda vetes për mënyrën se si duhet të duket paqja dhe si duhet të arrihet ajo. Nga njëra anë, grupi merr urdhra dhe udhëzime nga Irani lidhur me hakmarrjen dhe operacionet ushtarake kundër Izraelit. Nga ana tjetër, Hezbollahu ka edhe një bazë mbështetëse brenda Libanit, njerëz që e mbështesin grupin, kanë zgjedhur përfaqësues të lidhur me të dhe janë gjithnjë e më të lodhur nga ky konflikt i zgjatur.

Prandaj, mendoj se brenda Hezbollahut ka elementë që sinqerisht duan armëpushim dhe fund të konfliktit. Në të njëjtën kohë, ata duhet të balancojnë kërkesa dhe presione kontradiktore. Duke pasur parasysh presionin nga qeveria libaneze dhe opinioni publik, mendoj se Hezbollahu përfundimisht do të detyrohet të pranojë një armëpushim.

Një nga mosmarrëveshjet kryesore gjatë negociatave të mëparshme lidhej me renditjen e hapave; nëse Hezbollahu duhet ta ndalojë i pari lëshimin e raketave, nëse Izraeli duhet ta ndalojë i pari, apo nëse të dyja palët duhet t’i ndalojnë operacionet njëkohësisht.

Hezbollahu po kupton se baza e tij mbështetëse, veçanërisht popullsia shiite e Libanit, ka qenë ndër grupet më të prekura nga konflikti. Vazhdimi i luftës rrezikon të dëmtojë më tej komunitetin e vet, prandaj mendoj se pranimi i një armëpushimi po bëhet gjithnjë e më i domosdoshëm.

Radio Evropa e Lirë: Nga perspektiva politike, ekonomike dhe strategjike, a mund Hezbollahu ta refuzojë një marrëveshje paqeje në këtë fazë? Apo retorika e tij e ashpër synon pjesërisht të fshehë dobësitë e brendshme?

Dania Arayssi: Nga pikëpamja e ekonomisë politike, nuk mendoj se Hezbollahu mund ta përballojë këtë luftë. Një burim i rëndësishëm financimi për Hezbollahun tradicionalisht ka ardhur përmes Sirisë, duke përfshirë rrjetet e kontrabandës dhe mbështetjen financiare të lidhur me Iranin. Me kontrollet më të rrepta kufitare dhe ndryshimet në Siri, Hezbollahu ka humbur shumë nga këto burime të ardhurash. Qeveria libaneze gjithashtu ka mbyllur një numër institucionesh financiare të lidhura me Hezbollahun, përfshirë Al-Qard Al-Hassan. Përveç kësaj, shumë zyrtarë dhe bashkëpunëtorë të Hezbollahut mbeten nën sanksione amerikane.

Përtej kësaj, Hezbollahu nuk ka më kapacitetin financiar që kishte dikur për të mbështetur komunitetet e zhvendosura nga luftimet. Njerëzit që janë detyruar të largohen nga fshatrat e tyre shpesh nuk kanë mbështetje të mjaftueshme. Disa jetojnë në tenda ose strehimore të përkohshme dhe po bëhen gjithnjë e më të pakënaqur. Edhe luftëtarët e Hezbollahut po përballen me mungesë burimesh dhe mbështetjeje. Të gjitha këto faktorë sugjerojnë se Hezbollahu nuk ka mjetet politike dhe ekonomike për të mbështetur një luftë të zgjatur dhe përfundimisht do të duhet të pranojë një armëpushim.

Radio Evropa e Lirë: Kush po merr vendimet kyç në Liban sot? A janë zyrtarët që marrin pjesë në bisedimet në Uashington vendimmarrësit e vërtetë?

Dania Arayssi: Mendoj se po dëshmojmë diçka shumë të rëndësishme në Liban: ndarje reale të pushtetit. Vendimmarrja nuk është më e përqendruar në duart e një aktori të vetëm. Ajo përfshin presidentin, kryeministrin dhe udhëheqjen diplomatike të Libanit që punojnë së bashku.

Për herë të parë pas një kohe të gjatë, po shohim vendimmarrje kolektive të fokusuar te paqja, siguria dhe rindërtimi. Më parë, pushteti ishte shumë i përqendruar te Hezbollahu dhe aleatët e tij. Shfaqja e një konsensusi më të gjerë qeverisës është një zhvillim i rëndësishëm.

Kjo është një nga arsyet pse SHBA-ja ka punuar për të parandaluar përshkallëzim të mëtejshëm në Bejrut. Ekziston një bindje e vërtetë në qeveritë perëndimore, veçanërisht në Uashington, se Libani po përpiqet të rimarrë autoritetin nga Hezbollahu dhe të reduktojë ndikimin iranian.

Radio Evropa e Lirë: Sekretari i Shtetit Marco Rubio sugjeroi se udhëheqësi suprem Ali Khamenei po përfshihet gjithnjë e më shumë në vendimmarrje. Çfarë na tregon kjo për stabilitetin e sistemit iranian?

Dania Arayssi: Mendoj se ka pasiguri të konsiderueshme rreth vendimmarrjes brenda Iranit. Strukturat udhëheqëse janë trazuar dhe duket se ka më pak qartësi rreth asaj se kush është përgjegjës për vendimet kryesore dhe negociatat.

Në një mjedis lufte, zëvendësimi i figurave të larta dhe ruajtja e vazhdimësisë bëhen shumë të vështira. Shqetësimet e sigurisë e komplikojnë më tej komunikimin dhe koordinimin e brendshëm.

Si rezultat, vendimmarrja duket se është përqendruar te një numër më i vogël individësh, gjë që mund ta bëjë më të vështirë arritjen e konsensusit dhe zhvillimin e negociatave.

Radio Evropa e Lirë: A po negocion Uashingtoni me një udhëheqje iraniane të unifikuar, apo ndarjet e brendshme po bëhen më të dukshme?

Dania Arayssi: Ka ndarje brenda Iranit. Ka individë që favorizojnë pranimin e disa kushteve dhe ndjekjen e një marrëdhënieje më pragmatike me komunitetin ndërkombëtar. Ka gjithashtu figura më radikale që vazhdojnë të theksojnë të drejtën e Iranit për të ruajtur një program bërthamor.

Këto pikëpamje konkurruese krijojnë sfida për negociatat dhe e bëjnë më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Një rend i ri rajonal?

Radio Evropa e Lirë: A tregojnë këto kriza shfaqjen e një rendi të ri rajonal, apo secila çështje duhet trajtuar veçmas?

Dania Arayssi: Mendoj se SHBA-ja duhet të pranojë se po shfaqet një rend i ri rajonal. Irani është një aktor i rëndësishëm rajonal me interesat dhe botëkuptimin e vet. Sfida është të ndërtohen mekanizma besimi dhe komunikimi që reduktojnë rreziqet dhe parandalojnë konfliktin.

Tashmë po shohim diskutime për kapacitete civile bërthamore në pjesë të tjera të rajonit, përfshirë Arabinë Saudite. Kjo do të thotë se fokusi duhet të jetë te ndërtimi i kornizave që sigurojnë se teknologjia bërthamore nuk përdoret për të kërcënuar vendet e tjera.

Në fund të fundit, stabiliteti rajonal varet nga dialogu i vazhdueshëm, komunikimi dhe bashkëpunimi midis aktorëve kryesorë.

Radio Evropa e Lirë: Disa grupe opozitare në Iran dikur merrnin vëmendje të konsiderueshme jashtë vendit, por sot duken më pak të dukshme. Pse?

Dania Arayssi: Mendoj se po rritet ndërgjegjësimi se ndryshimi politik në Iran duhet të udhëhiqet nga vetë iranianët. SHBA-ja nuk dëshiron të perceptohet si një aktor që imponon një rezultat politik ose që zgjedh udhëheqjen e ardhshme të Iranit.

Ekziston gjithashtu vetëdija se përpjekjet e jashtme për të inxhinieruar tranzicione politike në pjesë të tjera të rajonit kanë prodhuar rezultate të përziera. Politikëbërësit janë të kujdesshëm për të mos përsëritur ato përvoja.

Nëse e ardhmja politike e Iranit ndryshon, kjo duhet të ndodhë përmes një procesi që pasqyron vullnetin e popullit iranian, dhe jo duke u zgjedhur udhëheqësit nga aktorë të jashtëm.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG