Ndërlidhjet

Mes së vërtetës dhe mitit: Ratko Mlladiq nuk është Car Llazari

Një grup personash vendosën një pano ku shkruhej "Ratko Mlladiq, hero serb", pasi aeroplani me arkivolin e tij arriti në Beograd më 3 shtator 2026.
Një grup personash vendosën një pano ku shkruhej "Ratko Mlladiq, hero serb", pasi aeroplani me arkivolin e tij arriti në Beograd më 3 shtator 2026.

I dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, por i madhëruar në Serbi dhe në entitetin e Bosnje dhe Hercegovinës, Republika Sërpska.

Skena të madhërimit të të dënuarit - e bashkë me to edhe mohimi i përgjegjësisë së vërtetuar për krime lufte - janë duke u shpërfaqur para syve të opinionit vendas dhe ndërkombëtar, pas vdekjes së Ratko Mlladiqit në burgun e Hagës.

Në muajt e fundit të jetës së Mlladiqit, përfaqësuesit e tij ligjorë kërkuan vazhdimisht që atij t’i lejohej trajtimi mjekësor në Serbi.

Mekanizmi Ndërkombëtar që pasoi Tribunalin e Hagës, e refuzoi kërkesën.

“Duke pasur parasysh nivelin dhe natyrën e kujdesit që i ofrohet Mlladiqit, si dhe mundësitë për kontakt me familjen, vazhdimi i qëndrimit të tij në burg nuk do t’i shkaktojë vuajtje përtej atyre që vetë dënimi me burgim nënkupton”, thuhej në vendim, ku theksohej gjithashtu se dinjiteti njerëzor i tij është duke u respektuar.

Video: Lavdërimi i Ratko Mlladiqit u ndalua në Srebrenicë

“Ta lavdërosh Mlladiqin në Srebrenicë është si t’i qeshësh familjes së viktimës në fytyrë”
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:03:53 0:00

Padyshim, Mlladiq kishte një vdekje më të rehatshme sesa ata, mbetjet mortore të të cilëve vazhdojnë të nxirren nga varrezat në Bosnje dhe Hercegovinë edhe sot.

Por, një këndvështrim i tillë nuk zë vend mes mbështetësve të tij.

A gabuan gjykatat?

“Absolutisht nuk do të pajtohesha me këtë”, thotë Goran Shimiq, profesor i së Drejtës Penale në Sarajevë, i pyetur se deri në çfarë mase drejtësia vendore dhe ndërkombëtare mban përgjegjësi për rrënjosjen e pikëpamjeve të njëanshme për luftërat dhe krimet që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë.

“Edhe sot në Gjermani, sigurisht, ka njerëz që i vënë në dyshim vendimet e Nurembergut dhe gjykimet ndaj nazistëve, por kjo nuk do të thotë se ato gjykata dështuan. Problemi është se rasti i Ratko Mlladiqit nuk është një episod i izoluar në Bosnje dhe Hercegovinë. Kemi mohim të krimeve të luftës në përgjithësi, jo vetëm të gjenocidit në Srebrenicë. Kjo na tregon qartë se aktgjykimet nuk mjaftojnë. Puna e gjykatave nuk mjafton për ta ndryshuar mënyrën se si shoqëria e sheh të kaluarën dhe për t’i kapërcyer ngjarjet e saj. Gjykatat zhvillojnë proceset, marrin vendimet dhe aty përfundon puna e tyre. Ne si shoqëri, për fat të keq, as tridhjetë vjet më vonë, nuk kemi arritur që këto aktgjykime t’i bëjmë pjesë të jetës shoqërore”, thotë Shimiq për emisionin “Uvid” të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Sipas statistikave të OSBE-së, gjykatat në Bosnje dhe Hercegovinë deri më tani kanë nxjerrë rreth 1.200 aktgjykime për krime lufte, ndërsa në Serbi ky numër është rreth 100.

Video: Krimet e "Kasapit të Bosnjës"

Jeta dhe krimet e “Kasapit të Bosnjës”
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:04:07 0:00

Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë, gjatë 24 vjetëve të punës së saj, nxori 93 aktgjykime, shtatë prej tyre për gjenocid.

Në mesin e këtyre shtatë të dënuarve ishte edhe Ratko Mlladiq.

Si komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, ai udhëhoqi forcat që në verën e vitit 1995 hynë në zonën e mbrojtur të OKB-së në Srebrenicë dhe më pas kryen krimin më të rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Më shumë se 8.000 boshnjakë u vranë.

Si komandant i forcave serbe, Mlladiq nuk mund të mos kishte dijeni për një krim të përmasave të tilla, por asnjëherë nuk u distancua prej tij.

E, ky nuk ishte krimi i vetëm për të cilin u dënua.

Ish-gjenerali i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq, u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykata në Hagë, pasi u shpall fajtor për gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen dhe zhvendosjen me forcë të popullsisë, terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës, si dhe marrjen peng të pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.

Në vitin 2021, Mlladiq u dënua për 10 nga 11 pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Tribunali i Hagës konstatoi se Mlladiq ishte fajtor për gjenocidin ndaj rreth 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë - zonë e mbrojtur e Kombeve të Bashkuara (OKB) - në verën e vitit 1995.

Mlladiq u shpall fajtor për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, që synonte largimin e përhershëm të myslimanëve dhe kroatëve të Bosnjës përmes përndjekjes, shfarosjes, vrasjeve, zhvendosjes së detyruar dhe dëbimit.

Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska u shpall fajtor edhe për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale në Sarajevë, për përhapjen e terrorit mes popullsisë civile përmes sulmeve me snajper dhe granatimeve, vrasjeve, terrorizimit dhe sulmeve të paligjshme ndaj civilëve.

Ai u shpall fajtor edhe për ndërmarrjen e përbashkët kriminale që lidhej me marrjen e pengjeve, për shkak të kapjes së pjesëtarëve të OKB-së dhe mbajtjes së tyre në lokacione strategjike ushtarake, me qëllim parandalimin e sulmeve të tjera ajrore të NATO-s ndaj objektivave ushtarake të serbëve të Bosnjës.

Mlladiq u lirua nga akuza për gjenocid në gjashtë komuna të Bosnje e Hercegovinës gjatë vitit 1992 - Prijedor, Sanski Most, Kluç, Kotor-Varosh, Foçë dhe Vllasenicë.

Cili argument përsëritet më së shpeshti?

Ai se shumica e të dënuarve nga Tribunali i Hagës ishin serbë.

Dhe kjo është e saktë.

Personave me përkatësi etnike serbe u janë shqiptuar 62 dënime, atyre kroatë 18, ndërsa boshnjakëve dy.

Por, çfarë përgjigjeje mund t’i jepet përdorimit të këtyre shifrave si argument për pretendimin se Tribunali i Hagës u krijua për “t’i gjykuar serbët”?

“A është dëshmuar ndonjëherë se ndonjëri prej tyre është dënuar pa qenë fajtor?”, pyet Shimiq.

“Pra, asnjë prej këtyre aktgjykimeve nuk është rrëzuar. Nga të gjitha aktgjykimet në Bosnje dhe Hercegovinë, vetëm një është anuluar për një person - një kroat etnik - pasi më vonë u konstatua se kishte ndodhur një gabim në identifikimin e tij. Asnjë aktgjykim nuk është anuluar ndonjëherë për shkak se ishte dënuar një person i pafajshëm. Atëherë, sipas kësaj logjike, a duhet të themi: ‘Jo, serbët duhej të liroheshin vetëm sepse ishin serbë, ndërsa boshnjakët duhej të gjykoheshin më shumë, edhe nëse nuk kishin kryer krime’, e kështu me radhë? Secili duhet të mbajë përgjegjësi për çdo krim”, thotë Shimiq.

Car Llazari vs. Ratko Mlladiq

Narrativët në diskursin publik kanë marrë një drejtim krejt tjetër.

Kriminelë lufte, si Ratko Mlladiq, vendosen pa shumë ngurrim përkrah figurave historike me rëndësi të padiskutueshme për historinë e Serbisë dhe të Ballkanit.

Shembuj të tillë ka shumë.

Njëri prej tyre ishte në një pankartë të shfaqur në një ndeshje në Banjallukë, pas vdekjes së Mlladiqit.

Aty shkruhej: “Mbretëria tokësore zgjat pak, ndërsa ajo qiellore përgjithmonë e përjetë. Lavdi e përjetshme mbrojtësit më të madh të popullit serb”.

Mesazhi krijonte një lidhje të drejtpërdrejtë me poezinë popullore të Ciklit të Kosovës, që lartëson figurën mesjetare të Llazar Hrebelanoviqit (Car Llazarit), udhëheqësit të rezistencës kundër osmanëve në Betejën e Kosovës të vitit 1389.

Pse nuk qëndron ky krahasim?

“Sepse, në vitin 1389, Car Llazari mbrohej nga ajo që sot do ta quanim një agresor i huaj - një pushtues shumë agresiv dhe brutal. Ndërsa, në luftërat e viteve ’90, Ratko Mlladiq ishte përgjegjës për krime ndaj njerëzve që, nëse jo bashkëkombës, ishin bashkëqytetarë të tij, në një konflikt që kishte elemente të ndryshme - të luftës civile, agresionit, konfliktit fetar e të tjera. Pra, vetë kontekstet nuk janë të njëjta”, thotë historiani nga Beogradi, Sërgjan Millosheviq.

“Nëse presim që këtyre analogjive dhe përpjekjeve për të krijuar një lloj vazhdimësie historike t’u kundërvihemi vetëm me fakte, kjo që në fillim është e destinuar të dështojë, për aq kohë sa mbizotëron pikëpamja që kombin e sheh si një kategori të vetme, të pandryshueshme në thelb gjatë gjithë historisë. Në këtë perceptim, Car Llazari, Dushani, Sava, Karagjorgje dhe Milloshi janë të gjithë bashkëkohësit tanë”, shpjegon Millosheviq.

Një nga ngjarjet kryesore historike që përmendet shpesh në këtë kontekst, janë krimet që ustashët, fashistët kroatë, kryen ndaj serbëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Edhe pse jo në të njëjtën shkallë, me të njëjtin intensitet apo peshë, të gjitha palët në luftën në Bosnje dhe Hercegovinë kryen krime. Këto fakte janë padyshim të dhimbshme për të gjithë. Por, nëse kthehemi në të kaluarën, qoftë edhe vetëm deri në Luftën e Dytë Botërore, mund të shohim se rolet kanë qenë edhe të kundërta: ata që në një luftë mund të kenë qenë kryesisht viktima, në luftëra të tjera mund të kenë qenë kryesit kryesorë të krimeve”.

“Prandaj, vetë e vërteta, e cila do të duhej të ishte baza për përballjen me të kaluarën, shndërrohet në një terren ideal për të ndërtuar sot ndarjen mes ‘nesh dhe atyre’. Në fakt, na duhen vetëm pjesë të së vërtetës, apo interpretime të saj, për ta përforcuar diskursin dhe interpretimin tonë”, thotë Shimiq.

Sa rëndësi kanë faktet?

Faktet nuk janë ato që përcaktojnë imazhin që ekziston për Mlladiqin në opinionin publik, para së gjithash në atë serb.

Pas lajmit për vdekjen e tij, në Vishegrad u organizuan fishekzjarre në Urën e vjetër të Mehmed Pashë Sokoloviqit, e njohur edhe si motivi qendror i romanit “Ura mbi Drinë” të nobelistit serb, Ivo Andriq.

Rreth njëqind kilometra në veri të Vishegradit, në Zvornik, qindra njerëz marshuan nëpër qytet duke brohoritur emrin e Mlladiqit.

Vishegradi dhe Zvorniku ndodhen në lindje të Bosnje dhe Hercegovinës, sikurse edhe Srebrenica - një rajon ku, që në vitin e parë të luftës, më 1992, u kryen krime të shumta ndaj boshnjakëve.

Skena të ngjashme u panë edhe në Banjallukë, qendrën politike dhe financiare të Republikës Sërpska, ku u shfaqën pankarta, u ndezën flakadanë dhe u brohorit emri i Mlladiqit.

Video: Familjarët e viktimave në Srebrenicë e Sarajevë flasin për Mlladiqin

“Vetëm e vërteta ka rëndësi”: Viktimat e Srebrenicës dhe Sarajevës flasin për Mlladiqin “Vetëm e vërteta ka rëndësi”: Viktimat e Srebrenicës dhe Sarajevës flasin për Mlladiqin
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:35 0:00

Dyshimet rreth rrethanave të vdekjes së Mlladiqit u ushqyen edhe nga Millorad Dodik, udhëheqësi i partisë kryesore në Republikën Sërpska - Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur.

Në reagimin e tij të parë, Dodik pretendoi se në rastin e Mlladiqit bëhej fjalë për “vrasje”.

Mekanizmi në Hagë ka nisur ndërkohë një hetim, që është pjesë e procedurës së zakonshme kur një i burgosur vdes gjatë vuajtjes së dënimit.

Trupi i Mlladiqit u transportua në Serbi me avion të Qeverisë serbe.

Në aeroport, arkivoli i mbuluar me flamurin shtetëror serb u prit nga pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë.

“Jam thellësisht i vetëdijshëm se kjo, në masë të madhe, është rezultat i një projekti - do të thosha të organizuar dhe të menduar mirë - të elitave politike dhe intelektuale për mohimin e përgjegjësisë për krimet. Në të merr pjesë edhe Kisha Ortodokse Serbe, e cila jo vetëm që e mbështet këtë fushatë, por ndoshta edhe e udhëheq atë”, thotë Sërgjan Millosheviq.

“Pra, disa prej strukturave themelore dhe më me ndikim në shoqëri janë angazhuar jo vetëm për të relativizuar, por shumë shpesh edhe për të mohuar qoftë karakterin e asaj lufte, qoftë përgjegjësinë e disa prej pjesëmarrësve të saj - në këtë rast, të Ratko Mlladiqit”.

“Të gjitha këto, mendoj, shpjegojnë se nga vjen një reagim i tillë. Dhe, në një kontekst ku nacionalizmi - apo, nëse doni ta themi më butë, identiteti kombëtar - është një paradigmë ideologjike e privilegjuar, krijohen edhe më shumë kushte që reagime të tilla të shfaqen”, përfundon Millosheviq.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG