Ndërlidhjet

Përballja e dytë Prishtinë-Beograd


Borko Stefanoviq dhe Edita Tahiri
Borko Stefanoviq dhe Edita Tahiri
Nesër në Bruksel pritet të mbahet raundi i dytë i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Tema të bisedimeve do të jenë energjia, posta dhe telekomi, si dhe lëvizja e lirë. Koordinatorja e palës kosovare, Edita Tahiri, thotë se nëser në Bruksel të dyja palët mund t’i sqarojnë edhe pozicionet rreth temave të diskutuara në takimin e parë.


Energjia, telekomunikacioni dhe lëvizja e lirë pritet të jenë temat e takimit të dytë në kuadër të bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit, i thirrur të mbahet të hënën më 28 mars, në Bruksel.

Edhe ky takim do të lehtësohet nga Bashkimi Evropian dhe asistohet nga përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Takimi do të jetë njëditor, ndërsa koordinatorja e palës kosovare në këto bisedime, Edita Tahiri, thotë se palët mund t’i sqarojnë edhe pozicionet e tyre në lidhje me temat që u diskutuan në takimin e parë, të mbajtur po në Bruksel.

“Në raundin e parë ne kemi shtruar propozimet. Por, aq sa unë kam mundur t’i perceptoj, nuk kemi qenë shumë afër zgjidhjeve. Unë mendoj se takimi tjetër mund t’i sqarojë pozicionet e palëve”, thotë Tahiri.

Për dallim nga koordinatorja e palës kosovare në bisedime, shefi i delegacionit serb, Borko Stefanoviq, është cituar në media të ketë qenë më optimist rreth arritjes së marrëveshjeve.

Opozita në Prishtinë vazhdon ta kundërshtojë këtë dialog. Ditë më parë, Edita Tahiri pati shprehur optimizmin e saj se nga partitë opozitare në grupet punuese për bisedimet mund të përfshihet edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por, një mundësi të tillë e hedh poshtë anëtarëi i Kryesisë së AAK-së, Avni Arifi.

“Aleanca as nuk është përfshirë dhe as nuk ka kërkesë zyrtare që të përfshihet. Krejt ky tregim ka të bëjë me një takim që ka ndodhur mes dy zyrtarëve të AAK-së me zonjën Tahiri, ku në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë AAK-ja as nuk ka premtuar dhe as nuk ka pohuar apo përkrahur bisedimet dhe pjesëmarrjen e njerëzve të AAK-së në grupet punuese”.

“Qeveria e Kosovës nuk ka treguar asnjë element për të na bindur neve që të jemi pjesë e këtij procesi”,
thekson Arifi.

Temat që do të diskutohen në takimin e së hënës, si energjia apo telekomunikacioni, pritet të shtrojnë edhe çështjen e ndërhyrjeve të elektro-ekonomisë së Serbisë në sistemin e Kosovës, ngjashëm siç vepron edhe telekomi serb. Të dy veprojnë në Kosovë pa marrëveshje me autoritetet e Prishtinës.

Pavarësisht pritjeve të qeverisë, Avni Arifi nga partia opozitre, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se në formën si kanë filluar, këto bisedime nuk mund të sjellin rezultate.

“Ne nuk kemi qenë për këto bisedime në këtë fazë, në këtë formë dhe me agjendën e propozuar. Natyrisht që kemi qenë gjithmonë për dialog, por për një dialog në të cilin shohim rezultate dhe të cilin do ta shihnim në interes të Kosovës”, thotë Arifi.

Bisedimet Kosovë-Serbi po lehtësohen nga Robert Kuper, përfaqësues i shefes së diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton. Procesi po asistohet edhe nga përfaqësuesi i SHBA-së, Tomas Kantrimen.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, procesi i bisedimeve do të përfundojë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe me njohje reciproke.
XS
SM
MD
LG