Ndërlidhjet

Zhvillimi 'ad-hoc' i ekonomisë


Prishtinë
Prishtinë
Ekonomia e Kosovës, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, deri më tani ka ecur pa ndonjë plan zhvillimor. Mungesa e këtij të fundit, sipas ekspertëve, bën që zhvillimi ekonomik të ndodhë në formën ad-hoc, pa pasur një synim të caktuar afatgjatë.


Dokumentet për zhvillimin ekonomik, të hartuara deri më tani nga Qeveria e Kosovës, ekspertët e çështjeve ekonomike i quajnë të dështuara.

Lumir Abdixhiku thotë se prioritetet ekonomike të vendit nuk kanë qenë të koordinuara mirë. Sipas tij, në Kosovë fillimisht është përcaktuar buxheti dhe pastaj janë nxjerrë prioritetet.

“Dyshoj që një grumbull i caktuar ministrash mund të prodhojë një dokument kaq të rëndësishëm ekonomik zhvillimor për vendin. Nëse është dashur të prodhohet një plan i tillë, duhet të fillohet nga nivelet më të ulëta, nga pushteti lokal, për t’u filtruar një dokument final, i cili do t’i paraqiste potencialet ekonomike të vendit”, thotë Abdixhiku për Radion Evropa e Lirë.

Ekspertët e ekonomisë thonë se institucionet kompetente, përmes dokumenteve apo strategjive të ndryshme, duhet gjithsesi të definojnë disa pika orientuese, të cilat mund të nxisin zhvillimin ekonomik.

Lumir Abdixhiku
Abdixhiku thotë se ky plan strategjik zhvillimor duhet të jetë më gjithëpërfshirës.

Në këtë dokument duhet të shihen se cilat janë mundësitë zhvillimore të vendit, në aspekt të veçantë përparësitë krahasuese të Kosovës me vendet e rajonit; pastaj, cila do të jetë rruga e zhvillimit ekonomik të Kosovës në relacion me punësimin dhe zbutjen e varfërisë, si dhe me fuqizimin e ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla në tregun e Kosovës”, thotë Abdixhiku.

Që nga përfundimi i luftës e deri më tani, autoritetet vendore dhe një grup ekspertësh ndërkombëtarë kanë bërë përpjekje që të hartojnë tri strategji të zhvillimit, por që të gjitha kanë dështuar.

Synimi parësor i këtyre planave ka qenë zhvillimi i gjithëmbarshëm ekonomik, i bazuar në një koncept afatgjatë të rimëkëmbjes ekonomike.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Lekë Musa, thotë se në mungesë të një vizoni për zhvillim afatgjatë ekonomik, mjetet financiare të Qeverisë kanë shkuar në ato segmente të ekonomisë ku nuk ka pasur potencial për nxitje të zhvillimit ekonomik.
Nuk ka pasur një plan zhvillimor dhe për këtë arsye zhvillimi ekonomik ka qenë ad-hoc.

Deri më tani nuk ka pasur një plan zhvillimor dhe për këtë arsye zhvillimi ekonomik ka qenë ad-hoc. Ajo çka i duhet Kosovës është një vizion, është mënyra se si e shohim ne Kosovën dhe ku janë këto aftësi konkurruese të Kosovës në krahasim me vendet e rajonit”, shprehet Musa.

Ekspertët e ekonomisë thonë se mungesa e një plani të caktuar lë hapësirë për mosrealizim të objektivave të Qeverisë së Kosovës. Musa shpreh nevojën e konsultimeve për të parë se ku janë burimet që paraqesin potencial.

Sipas tij, deri më tani, në dokumentet për zhvillim ekonomik janë paraqitur disa faktorë që ndikojnë në rritjen ekonomike, por, siç thotë ai, nuk ka pasur studim të thellë se çfarë duhet bërë që këto segmente të ngrihen në atë nivel që të jenë faktorë zhvillimorë.

Nëse flasim për burimet njerëzore, ne duhet investuar në aftësim dhe edukim. Gjithashtu duhet parë se në çfarë lloj drejtimesh duhet të investohet. Kjo kërkon një analizë”, thekson Musa.

Gjatë këtyre ditëve në Bullgari po qëndrojnë gjashtë ministra të Qeverisë së Kosovës, për të punuar në hartimin e programit për zhvillim ekonomik të vendit.

Lexoni edhe këto:
Si të mbulohet deficiti?
Investitorët duan stabilitet
XS
SM
MD
LG