Ndërlidhjet

Lajçak: Ndarja e Kosovës s'është opsion që e mbështet BE-ja


Mirosllav Lajçak
Mirosllav Lajçak
Të mërkurën, gjatë ditës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pasur një takim bilateral me kryetarin Parlamentit Evropian, Jerzhi Busek.

Pas këtij takimi, zoti Krasniqi ka folur për takimin që pati me zotin Busek.

“Ajo që është e rëndësishme, është se prej të gjitha institucioneve të BE-së, Parlamenti i Bashkimit Evropian është institucioni që më së miri e trajton, e njeh situatën në Kosovë dhe e mbështet Kosovën. Me një fjalë, është institucioni i vetëm i Bashkimit Evropian që e ka njohur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.

Jakup Krasniqi, po ashtu, ka nënvizuar se mosnjohja e Kosovës nga 5 vendet anëtare të BE-së, po krijon pengesa edhe në punën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ka falënderuar Parlamentin Evropian për mbështetjen që po bën dhe për ftesat që Parlamenti Evropian u bën vendeve anëtare të BE-së që ta njohin shtetin e Kosovës.

Ndërkohë, të mërkurën për Kosovën është folur edhe në një debat tjetër në Parlamentin Evropian.

Paradite Mirosllav Lajçak, drejtor menaxhues për Ballkanin në Këshillin e BE-së, ka folur në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve, ai ka pranuar se Bashkimi Evropian është duke planifikuar një rigrupim të pranisë së vet në Kosovë, dhe se brenda 2-3 muajsh do të sqarohet kjo prani, përfshirë edhe emrin e shefit të ardhshëm të zyrës së BE-së në Kosovë që do të bashkojë zyrën e tashme të Komisionit Evropian me zyrën e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së.

Lajçak ka shpjeguar se personalisht nuk do të jetë ai personi që do të jetë i ngarkuari me këtë punë, por ka thënë se vendet anëtare janë duke bërë konsultime për këtë dhe së shpejti do të merret vendimi.

Lajçak, gjithashtu, është pyetur nga një deputet se përse Bashkimi Evropian refuzon ndarjen e Kosovës si opsion dhe ai vetëm është përgjigjur se ndarja e Kosovës nuk është një opsion, të cilin e mbështet Bashkimi Evropian.

Lexoni edhe këto:
Dialogu (s')ka lidhje me integrimin
Dialogu, pa vullnet e pa rezultate
XS
SM
MD
LG