Ndërlidhjet

Përplasjet EULEX-Qeveri


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Më shumë se dy vjet pas vendosjes së EULEX-it në Kosovë, këtë javë janë vënë në pah në publik përplasjet mes misionit dhe institucioneve vendëse. Deklarata e shefit të EULEX-it se për gjykatat në veri duhet marrëveshje politike, ka nxitur debatin se sa e përmbushi deri tash ky mision mandatin.


EULEX-i nuk tërhiqet nga qëndrimi se për kthimin e gjykatësve në veri, duhet marrëveshje politike, edhe pse ky qëndrim i shefit të EULEX-it shkaktoi reagime në Qeverinë e Kosovës.

“Sa i përket Gjykatës së Qarkut, politika e EULEX-it mbetet e njëjtë. Misioni dëshiron të shohë kthimin e gjykatësve shqiptarë dhe serbë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të përfitojnë të gjitha komunitetet”.
...një zgjidhje afatgjate do të gjendet vetëm në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha palët relevante.


“EULEX-i ka bërë shumë përpjekje për ta arritur këtë në të kaluarën, por një zgjidhje afatgjate do të gjendet vetëm në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha palët relevante. Nëse duhet ose jo që kjo çështje të diskutohet në dialogun aktual në Bruksel, u takon të vendosin Prishtinës, Beogradit dhe lehtësuesve të BE-së
”, thotë për Radion Evropa e Lirë, shefi për informim i EULEX-it, Nik Hauton.

Kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, hedh poshtë mundësinë që çështja e gjykatave të negociohet në bisedimet teknike me Beogradin.

“Çështjet e drejtësisë, përfshirë edhe gjykatat, janë çështje të sovranitetit, janë çështje të brendshme të Kosovës dhe ato duhet të zgjidhen në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe për këto çështje bashkërisht me EULEX-in do t’i zgjidhim dhe dialogu nuk ka pse të merret me këto çështje
”, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministrja Tahiri.

Qeveria e Kosovës
Dy ditë më parë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se “se ka telashe me EULEX-in”.

“Unë kam telashe me EULEX-in në raport me veriun, kam telashe për rendin dhe ligjin, kam telashe me EULEX-in për ligjet e aplikueshme”, ka thënë Kuçi, i cili bashkë-kryeson Bordin për sundimin e Ligjit me shefin e misionit evropian, Ksavier de Marnak.

Dy vjet e gjysmë pas vendosjes në Kosovë, EULEX-i kritikohet se nuk futi nën kontroll veriun e banuar me shumicë serbe dhe të administruar nga strukturat paralele të Serbisë.

Për shkak të kundërshtimit serb, gjykatësit vendës nuk mund të punojnë në gjykatat në veri. Doganat në atë pjesë, po ashtu, janë jofunksionale.

Kreu i Komisionit Parlamentar për Siguri e Punë të Brendshme, Ahmet Isufi, shpreh mendimin se duhet kërkuar llogari, jo vetëm nga EULEX-i, por edhe nga mekanizmat që e sollën këtë mision në Kosovë.
EULEX-i është dashur të fokusohet në përgjegjësitë që i ka...

“EULEX-i është dashur të fokusohet në përgjegjësitë që i ka dhe shpeshherë kemi pasur ndërhyrje në elementet që nuk kanë qenë përgjegjësi e tij”.


Shpeshherë kemi dyanshmëri të veprimeve, të cilat ndërhyjnë në kompetenca dhe kemi një neglizhim, sidomos sa i përket zbatimit të rendit dhe të ligjit, e që EULEX-i vërtet po shihet nga opinioni si një mision që nuk po e kryen obligimin e vet sa duhet ndaj Kosovës”, shprehet Isufi.

Nëse merren parasysh ato që i thotë misioni evropian për sundimin e ligjit, atëherë veriu vazhdon të mbetet prioritet - edhe pse gjendja në terren nuk ka ndryshuar që nga vendosja e EULEX-it.

“Politika e EULEX-it për veriun mbetet e pandryshuar, ndërsa EULEX-i e vë prioritet sundimin e ligjit në atë pjesë, si në veri, ashtu edhe në jug të lumit Ibër. Ne po punojmë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për ta arritur këtë”
, thotë Hauton.

Si EULEX-in, ashtu edhe misionet tjera ndërkombëtare, pas pavarësimit, janë ftuar nga institucionet kosovare për t’u vendosur në Kosovë. Reagime kundër EULEX-it ka pasur edhe vitin e kaluar, por jo për shkak të mospërmbushjes së mandatit të tij, por për shkak të bastisjeve që misioni i bëri Ministrisë së Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit.

EULEX-i nisi hetimet edhe në Bankën Qendrore të Kosovës, në PTK dhe në sektorë tjerë publikë. Por, hetimet pothuaj nuk kanë përfunduar në asnjë nga ato raste, që zyrtarët e EULEX-it i quanin “kapja e peshqve të mëdhenj”.

Madje, deputeti Fatmir Limaj, ndaj të cilit më herët rëndonin pretendimet për korrupsion, e tash për krime lufte, ka thënë se një institut evropian po e heton vetë EULEX-in, për, siç është shprehur Limaj, shkelje të të drejtave të njeriut në rastin e tij.

Në anën tjetër, edhe Ahmet Isufi nga partia opozitare, AAK, dyshon se EULEX-i ka zbatuar me përpikëri atë, për të cilën është mandatuar.

“Vetë deklarata për një marrëveshje politike e konteston funksionimin e EULEX-it si një mekanizëm, i cili e ka për obligim teknikisht të veprojë dhe funksionojë me institucionet e Kosovës”,
thekson Isufi.

Në EULEX janë të vetëdijshëm se kanë ende punë për të bërë, por këmbëngulin se deri më tash kanë arritur përparime të mëdha.

“Natyrisht që misioni nuk është përmbushur. Është arritur përparim në shumë fusha, por ende ka sfida. Sundimi i ligjit duhet të përmirësohet; ai po përmirësohet. EULEX-i me partnerët lokalë po punon për ta arritur këtë. Diçka është arritur, por edhe më tej duhet të arrihet”
, shton Hauton.

Sipas Planit të Ahtisarit, EULEX-i duhet t’i ndihmojë autoritetet kosovare në përparimin e tyre drejt qëndrueshmërisë dhe përgjegjësisë dhe në zhvillimin e fuqizimin e mëtejmë të gjyqësorit të pavarur, shërbimit policor dhe doganor, duke siguruar se këto institucione veprojnë jashtë ndikimit politik.

Por, shumë dyshojnë se çdo gjë është teknike në misionin e EULEX-it, duke shfaqur drojën se me bisedimet e nisura në Bruksel, EULEX-i në terren do të ndihmojë planin 6-pikësh të Ban Ki Moonit, i cili parashihte aranzhime të veçanta me Serbinë për çështjet e brendshme të Kosovës.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG