Ndërlidhjet

KATHER: NË KOSOVË KURRË MË S’DO TË KETË DHUNË


Albana Isufi


Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Roland Kather siguron kosovarët se misioni paqeruajtës në Kosovë nuk do pësojë kurrfarë ndryshimesh edhe për një kohë pasi që të jetë vendosur statusi politik i Kosovës. “KFOR-i do të kontribuojë për një ambient te sigurt tash dhe pas statusit, me mandat të njëjtë, organizim të njëjtë, numër të njëjtë, koncept të njëjtë edhe për një kohë pas vendimit për statusin. Nuk do të ketë ndryshime thelbësore në 2007 ”, thotë gjenerali Kather, duke shprehur bindjes se sido që të jetë NATO do të jetë e pranishme në Kosovë edhe për shumë vjetë.
”Mendoj se nuk do ketë ndryshime deri në fillim të 2008-tës e mandej të shohim se ku jemi, si do jetë statusi, çfarë do jetë situata në Kosovë. Por unë absolutisht jam i bindur se NATO do të mbetet me vite këtu, por nuk mund të parashikojë sa gjatë do të jetë në detaje, por mund t’iu them se po zhvillojnë diskutime, dhe po merret në konsideratë mandati, në bashkëpunim të ngushtë me BE-në”, tha Kather ne një konferencë me gazetarë.
Gjenerali Kather, shteti i të cilit po mban presidencën e radhës të BE-së, beson se nuk do të ketë shtyrje të paraqitjes së propozimit për statusin.
”Po presim që z.Ahtisari të ofrojë pakon e tij menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare serbe. Mendoj se po ecim së bashku në një proces normal, shumë demokratik dhe ky proces demokratik merr kohë. Unë si komandant i KFOR-it nuk kam indikacione se mund të ketë shtyrje. E përkrahim presidentin Ahtisari dhe nuk ka alternativë për përkrahjen tonë. Unë besoj se njerëzit në Vjenë, në Nju Jork do të vijnë me një vendim për të mirën e të gjithë popullit”, thotë komandanti i KFOR-it, i cili nuk parasheh rritje te numrit të ushtarëve as në periudhën kur do te vendoset për statusin.
“Momentalisht nuk ka plane konkrete për rritjen e numrit të forcave, por edhe në të ardhmen do ketë forca rezervë. Një batalion gjerman do jetë këtu në fund të marsit, batalioni italian do jetë diku në qershor. Ne po planifikojmë, por këto janë në baza të rutinës normale, por në të njëjtën kohe, jemi te gatshëm të ngrisim masat e sigurisë nëse kjo kërkohet”, thotë Kather.
Komandanti gjerman, që udhëheq me mbi 16 mijë ushtarë të forcave paqeruajtëse në Kosovë ka paralajmëruar se në Kosovë nuk ka vend për dhunë.
“Njerëzit kanë marrë mesazhin, kurrë më s’do ketë dhunë në Kosovë. Nga puna e KFOR-it , nga vizitat e shumta nëpër komuna kam parë dhe e di se njerëzit e refuzojnë dhunën dhe janë të vetëdijshëm se çfarëdo dhune nga çdokush, nga cilido komunitet do ta rrezikonte menjëherë atë që është arritur deri tash , madje edhe me e rëndësishme, tërë vizionin për të ardhmen. KFOR-i do të reagojë ndaj çdo individi, ose grupi individësh që tentojnë të minojnë paqen dhe sigurinë”, thotë Kather, i cili paraqitjet e njerëzve të armatosur dhe me maska në Kosovë, nuk i konsideron si struktura paralele të sigurisë.
“Jam këtu qe disa muaj. Nuk kemi identifikuar ndonjë strukturë paralele, ose grup paramilitar. Atë çka kemi kuptuar në të vërtetë është se janë disa individë të papërgjegjshëm që kanë formuar disa grupe me një prapavijë vërtet kriminale. Ne kemi aftësi, së bashku me SHPK-në, t’i luftojmë këto grupe dhe e kemi bërë këtë”, thotë gjenerali Roland Kather, duke i siguruar banorët e zonave ku janë shfaqur këto grupe se KFOR-i është duke e monitoruar situatën dhe është vetë i pranishëm në ato zona.

XS
SM
MD
LG