Ndërlidhjet

PRISHTINA DHE BEOGRADI NUK MUND TË MERREN VESH PËR STATUSIN


Zijadin Gashi

Bashkësia ndërkombëtare ka qenë e vetëdijshme që nga fillimi se për statusin e Kosovës nuk mund të ketë marrëveshje ndërmjet Prishtinës e Beogradit, vlerësojnë analistët në Prishtinë. Analisti Shkëlzen Maliqi, thotë se qendrat vendimmarrëse ndërkombëtare as që kanë tentuar të arrijnë ndonjë marrëveshje, sepse strategjia, sipas tij ishte që bashkësia ndërkombëtare të sjell një vendim për statusin. “Faktori ndërkombëtar i ka kontrolluar krejt rrethanat, e ka ushtrinë këtu e ka ditë se palët nuk mund të merren vesh edhe duhet imponuar zgjidhjen. Bile ka ditë edhe cili do të jetë rekomandimi kryesor - intenca kryesore, e cila është pavarësimi i Kosovës me njëfarë mbikëqyrje. Gjatë negociatave ka kërkuar një pajtueshmëri lidhur me pozitën e serbëve këtu”, tha Maliqi. Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare gjatë bisedimeve në radhë të parë ka qenë e përqëndruar në rregullimin e pozitës së pakicës serbe dhe nuk ka insistuar që të ketë bisedime apo marrëveshje për statusin.
Në anën tjetër, analisti Ilir Dugolli thotë se ka indikacione që edhe pas paraqitjes së pakos për statusin nga ana e Marti Ahtisarit, mund të ketë një periudhë shtesë bisedimesh ndërmjet bashkësisë ndërkombëtare deri në arritjen e një zgjidhje finale për statusin.
“Ka indikacione se do të ketë bisedime pas parqaitjes së pakos, në kuptimin e bisedimeve brenda faktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë. Kështu që për hir të konsensusit brenda bashkësisë ndërkombëtare mund të ndodhë që elemente të caktuara të modifikohen dhe të ndryshohen për ta ndërtuar emëruesin e përbashkët brenda bashkësisë ndërkombëtare. Mirëpo varet se si do e shohin këtë pako palët, por bashkësia ndërkombëtare që nga fillimi në njëfarë mënyre e ka pas parasysh se si do të duhej të jetë zgjidhja”, u shpreh Dugolli. Ilir Dugolli thotë se bisedimet Prishtinë - Beograd janë shterrur dhe nuk sheh ndonjë mundësi për vazhdimin e tyre, apo edhe nëse do të ketë insistime, nuk sheh mundësi që Prishtina e Beogradi të merren vesh në çështjet e statusit.
“Kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë ndonjë tentativë brenda segmenteve të caktuara në radhë të parë brenda Federatës Ruse për të avokuar që të shfrytëzohet sa më shumë kjo mundësi. Por, realisht nuk ka kurrfarë mundësie dhe një zvarritje e tillë do të ishte tejet e dëmshme dhe ajo do ushqente edhe më tepër pakënaqësinë dhe frustrimin dhe do bartte me vete rrezikun që gjerat në Kosovë si të tilla të dalin nga kontrolli”, thotë Dugolli.
Sidoqoftë, analistët në Prishtinë presin që pas propozimit të Ahtisarit palët të dalin me qëndrimet e tyre lidhur me pakon e Ahtisarit. Vetëm atëherë, sipas tyre do të mund të shihet se si do të vazhdoj dhe si do të përmbyllet procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG