Ndërlidhjet

JOHNSON:"NUK KA MISTERE RRETH PROPOZIMIT TË AHTISAARIT"


A. Ross JOHNSON, analist në Institutin Hoover/SHBA/

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Johnson, i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, pritet që së shpejti ta prezantojë propozimin e tij për statusin e Kosovës. Çfarë mendoni se do të përmbajë ky propozim?

A.ROSS JOHNSON
Nuk mendoj se ka shumë mistere rreth përmbajtjes së propozimit që zotit Ahtisaari do t’ia bëjë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Mendoj se do të jetë ajo që është diskutuar gjatë tërë vitit të kaluar, një formë e pavarësisë së kufizuar, kushtëzuar apo të mbikqyrur për Kosovën. Dhe megjithë dëshirat që ekzistojnë për një arritjen e një pajtueshmërie midis Prishtinës dhe Beogradit mbi këtë propozim, fatkeqësisht kjo nuk do të ndodhë. Prandaj, për këtë çështje do të vendosë komuniteti ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë kanë thënë se propozimi mund të mos e përcaktojë qartë statusin dhe si e tillë, kjo çështje do të mbetet e hapur për interpretime të caktuara. Cili është mendimi juaj në këtë drejtim?

A.ROSS JOHNSON
Unë mendoj se faktet në terren janë të rëndësishme dhe jo ato që mund t’i quajmë “diskutime teologjike” mbi ligjin ndërkombëtar dhe sovranitetin. Faktet në terren flasin se gjithnjë e më shumë përgjegjësi janë duke u bartur nga UNMIK-u tek Qeveria në Prishtinë; UNMIK-u tashmë gjendet në procesin e mbylljes dhe disa funksione të këtij mekanizmi do të barten tek misioni i ardhshëm i Bashkimit Evropian. Të gjitha këto zhvillime flasin për një të ardhme, rreth së cilës ka folur së fundi edhe kancelarja gjermane Merkel, duke thënë se Kosova nuk do të jetë më pak e pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Beogradi ka tërhequr vërejtjen se do ta shpallë të paligjshëm propozimin e zotit Ahtisaari nëse në të përmendet pavarësia. Në anën tjetër, Prishtina nuk pret asgjë më pak se pavarësia. Si do të ndikojnë këto raporte në zbatimin e zgjidhjes për statusin?

A.ROSS JOHNSON
Zbatimi i statusit përfundimtar është një proces i cili natyrisht nuk merr fund me planin apo propozimin e zotit Ahtisaari. Edhe Prishtina, edhe Beogradi, do të kenë rastin të komentojnë mbi këtë propozim dhe natyrisht Grupi i Kontaktit është i përfshirë në çdo hap të këtij procesi dhe pastaj do të pasojnë diskutimet në Këshillin e Sigurimit. Zbatimi i statusit do të varet nga të gjitha vendet e përfshira. Në raport me qasjen dhe raportet me Serbinë, do të varet edhe nga qeveria e re në Beograd se si do të jetë në gjendje të merret me Kosovën de facto të pavarur. Dhe në këtë kuadër, presidenti Tadiç, në mënyrë të matur, ka hedhur poshtë çdo formë të masave ushtarake dhe sipas mendimit tim, ai me maturi gjithashtu ka hedhur poshtë shkëputjen e marrëdhënieve diplomatike me vendet të cilat mund ta njohin Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë rrafsh, si e shihni rolin e Moskës? Senatori Joseph Biden së fundi ka shkruar se “ekstremistët në Beograd dhe në Moskë – për arsye të ndryshme – janë duke shpresuar që të shfrytëzojnë veton e Rusisë në Këshillin e Sigurimit për të shtypur propozimin për pavarësinë e Kosovës”…

A.ROSS JOHNSON
Senatori Biden me të drejtë ka ngritur disa çështje që mund të pasojnë vonesën e mëtejme të procesit dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me agresivitetin e politikës së jashtme ruse sot. Por, megjithatë duket se nuk ka shumë gjasa që në fund veprimet ruse të rezultojnë me ngrirjen e status quo-së. Kjo thjesht nuk mund të ndodhë, sepse po flasim për një proces dinamik. Qeveria në Prishtinë është duke fituar gjithnjë e më shumë pushtet, Bashkimi Evropian është duke u përgatitur që të marrë përsipër nga UNMIK-u. Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, për shkak të fakteve në terren, duhet të modifikohet. Se a do t’a ketë kjo rezolutë fjalën pavarësi brenda saj, mua nuk më duket edhe aq e rëndësishme. Ajo që më duket e rëndësishme është fakti i realitetit në terren dhe fakti se Kosova do të jetë edhe më pak pjesë e Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke i marrë parasyshë këto zhvillime, a mendoni se zgjidhja do të miratohet në Këshillin e Sigurimit?

A.ROSS JOHNSON
Unë mendoj se Këshilli i Sigurimit do të miratojë një rezolutë të re. Sërish po e them se ndoshta nuk do të përmbajë fjalën pavarësi, por në substancë do të krijojë hapësirë për vendet që duan ta njohin Kosovën si shtet të pavarur. Ajo që është e rëndësisë thelbësore është rregullimi i situatës ligjore dhe ekonomike në Kosovë. Mendoj se zgjidhja e statusit të Kosovës do t’ia lejojë Qeverisë së saj që të krijojë marrëdhënie të pavarura me Bankën Botërore, me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me investitorët privatë për të parë dhe për t’u siguruar se çfarë është Kosova në sistemin ligjor dhe atë ekonomik. Anëtarësimi në Kombet e Bashkuara me gjasë është një periudhë e dytë, e cila nuk do të arrihet në vitin 2007.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mendoni se do të arrihet në këtë periudhë?

A.ROSS JOHNSON
Mendoj se hapat e ardhshëm që do të pasojnë përcaktimin e statusit janë ato të cilat Qeveria në Prishtinë tashmë është duke i diskutuar. Kushtetuta e re, zgjedhjet e reja, simbolet shtetërore dhe krijimi i marrëdhënieve me institucionet ndërkombëtare. Misioni i KFOR-it dhe ai i Bashkimit Evropian natyrisht mbeten dhe këto çështje do të mbizotërojnë në vitin 2007. Nuk mund ta parashikoj me saktësi se kur do të arrihet anëtarësimi në Kombet e Bashkuara, por kjo çështje tash është simbolike. Është e rëndësishme natyrisht për popullin e Kosovës, por nuk mendoj se është çështja më e rëndësishme.

Intervistoi: Arbana VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG