Ndërlidhjet

CILI ËSHTË QËNDRIMI KINEZ KARSHI STATUSIT TË KOSOVËS?


Albana Isufi

Kina nuk ka ndonjë vullnet që të veprojë ndryshe nga pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar në çështjen e Kosovës. Këtë përshtypje e ka fituar sot kryeministri Agim Çeku pas takimit që pati me përfaqësues kinezë të akredituar në Prishtinë dhe Beograd. Kryeministri Çeku tha se megjithatë, nuk ka arritur të marrë një përgjigje konkrete se si do të veprojë Kina si anëtare me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, kur në Kombet e Bashkuara të miratohet rezoluta e re për statusin e Kosovës.
“Unë tentova ta marrë një përgjigje konkrete, por nuk mora një përgjigje konkrete dhe të prerë. Nuk pashë ndonjë vullnet të tyre për të menduar dhe vepruar ndryshe nga pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare”, tha Çeku.
Përfaqësuesit kinezë që tashmë kanë hapur zyrën ndërlidhëse në Kosovë nuk kanë sqaruar se cili është pozicioni i tyre karshi statusit të Kosovës. I pyetur nëse Kina do të mbështesë pavarësinë e Kosovës, ambasadori kinez i akredituar në Beograd Li Guobang është shprehur për një zgjidhje që do t’i kënaqte të dy palët.
“Kemi një dëshirë të sinqertë që të dyja palët të kenë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë. Ne shpresojmë se rajoni i Ballkanit Perëndimor do të jetë në paqe, stabilitet dhe do të krijohen kushte për zhvillimin ekonomik”, tha Li Guobang.
Kryeministri Çeku ka parë si një hap pozitiv hapjen e Zyrës Kineze në Prishtinë. “Është një vullnet pozitiv me faktin se Kina ka hapur zyrën diplomatike këtu, që do të thotë se është një interesim i madh i Kinës për situatën në Kosovë. Besoj se nuk do te jetë pengesë”, tha Çeku. Ambasadori kinez ne Beograd Li Guobang ka takuar liderët e institucioneve të Kosovës së bashku me shefin e porsaemëruar të Zyrës Ndërlidhëse Kineze ne Prishtinë Wang Wengnang.
“Mendoj se këto takime kanë rritur mirëkuptimin për çështjen e Kosovës. Mendoj se hapja e Zyrës Kineze në Kosovë është një hap i rëndësishëm në drejtim të bashkëpunimit dhe miqësisë ndërmjet Kinës dhe Kosovës”, tha ambasadori kinez ne Beograd Li Guobang.
Ai nuk ka komentuar propozimin për statusin të të derguarit te OKB-se për Kosovën Marti Ahtisarit, pa u publikuar. Por, Li Guobang është shprehur se Kina dëshiron një qasje të duhur ndaj çështjes së Kosovës nga të gjitha palët e përfshira.
XS
SM
MD
LG