Ndërlidhjet

TË RINJTË DHE KURRESHTJA PËR SUBSTANCAT NARKOTIKE


Nadie Ahmeti

Njerëz të moshave dhe gjinive të ndryshme në Kosovë janë shfrytëzues të substancave narkotike. Sipas përfaqësuesve të qendrave që merren me trajtimin e konsumuesve të këtyre substancave, numri i personave që abuzojnë me narkotikë është shtuar, sidomos tek nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, të cilët në shumicën e rasteve e përdorin marihuanën. Por, të rinjtë mendojnë se përdoruesit kryesisht nxiten nga kurreshjta për të provuar substancat narkotike. Hamide Salihu, gjimnaziste, thotë se njeh shumë shokë në shkollën e saj që konsumojnë substanca narkotike. “Po kam dëgjuar dhe mendoj se kjo është bërë një dukuri shumë e shpeshtë. Shkaku ka të bëjë me pakënaqësitë, problemet në familje...”, thotë Hamidja.
Shkalla e lartë e papunësisë, stresi dhe përditshmëria monotone për të rinjtë, janë arsyet kryesore që nxisin të rinjtë të përdorin këto substanca, thotë Astriti, student në Universitetin e Prishtinës. Ai pohon se njeh një numër të madh të përdoruesve të drogave dhe pasojat me të cilat përballen ata.
“Pasojat janë të shumta, duke filluar prej stresit të përditshëm, hajnisë që e bëjnë për të blerë drogë dhe gjëra të ndryshme”, thotë Astriti.
Por, psikologët mendojnë se kureshtja për të provuar diçka të re dhe mundësia e lehtë për të blerë drogën në tregun kosovar janë shkaktarët kryesorë që në Kosovë është rritë numri i abuzuesve të substancave narkotike. Dashamir Bërxulli, profesor në Universitetin e Prishtinës, si shkaktar tjetër përmend edhe mungesën e informimit për pasojat e kësaj kurreshtjeje. Madje sipas tij në shumë raste edhe vetë prindërit përballen me dukurinë e mohimit se fëmijët e tyre përdorin drogën. “Shpesh shohim se familje të tëra e mohojnë faktin se fëmijët e tyre marrin drogë, duke e mohuar në një masë të madhe problemin dhe duke mos kërkuar ndihmë përkatëse. Por sa i përket faktorëve, faktorët mund të jenë të ndryshëm, në radhë të parë një lloj kureshtjeje për të parë se çfarë është kjo droga. Ka shumë stereotipe dhe shume mite, që trergojnë se droga të bën të ndjehesh më mirë një moment të caktuar”, tha zoti Bërxulli, psikolog.
Skënder Nuredini, 45 vjeçar, nuk e mohon faktin se një pjesë të fajit e bartin prindërit. Por, ai thotë se ky problem është i ri për shoqërinë kosovare. “Ndoshta me trajnime dhe me këshilla të mjekëve dhe njerëzve që janë kompetentë për këtë çështje, duhet sa më shpesh që nëpërmes televizionit dhe radios, njerëzit të njoftohen se droga është shumë e rëndë dhe është një katastrofë për njerëzimin”, tha zoti Nuredini.
Dardan Rama, nxënës në klasën e shtatë në shkollën fillore “ Faik Konica” në Prishtinë, thotë se në shkollë dhe familje shpesh herë është diskutuar për substancat narkotike. Por megjithatë Dardani thotë se edhe në shkollën e tij, ka të dyshuar se janë përdorues të drogave.“Ka pasur hetime, sepse kanë menduar se ata që janë në klasa më të larta se ne përdorin drogë”, tha Dardani.
Ndryshe, në qendrën mediko-psikoterapike “Labirinit”, në të cilën trajtohen personat që abuzojnë substanca narkotike apo janë të varur nga to, thonë se prej vitit 2002 e deri më tash, ndihmë kanë kërkuar 534 përdorues të drogave. Defektologu Safet Blakaj ndërkaq thotë se kjo shifër me siguri është shumë më e lartë. “Mendoj se është shumë më e madhe, mendoj se është trefish më e madhe. Si karakteristikë e përdoruesve të drogave tek ne, në vitin 2003 mosha mesatare ka qenë 24.4, ndërkaq në vitin 2005 ka qenë 19.6”, tha defektologu Blakaj.

XS
SM
MD
LG