Ndërlidhjet

PAKOJA E AHTISAARIT PRITET NË QETËSI


Albana Isufi

Kosovarët priten të qetë pakon për statusin, që Martti Ahtisaari shpalosi sot ne Prishtinë. Policia dhe KFOR-i e vlerësojnë situatën e sigurisë të qetë, pa indikacione se mund të ketë përshkallëzim të sigurisë. Megjithatë, siç thotë zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, masat e sigurisë janë ngritur në tërë Kosovën, veçanërisht në vendet që do të vizitohen nga emisari për statusin, Martti Ahtisaari.
“Duke marrë parasysh se ai sjell një mesazh të rëndësishëm për Kosovën dhe popullin e saj, ne kemi marrë masa shtesë për të mos ndodhur diçka, edhe pse informacionet që ne i kemi janë se tollovia e trafikut do të jetë më e theksuar, por s’ka diçka tjetër. Nëpër vendet ku Ahtisaari do të jetë i pranishëm, kemi numër më të madh të pjesëtarëve të SHPK-së, p.sh. te Parlamenti apo te ndërtesa e UNMIK-ut”, thotë Elshani. Policia për të mundësuar lëvizjen e lirë të konvojit të zotit Ahtisaari dhe të zyrtarëve vendas që do të takohen me të, ka bllokuar për qarkullim të automjeteve disa rrugë të Prishtinës. “Duke filluar nga ora 13, rruga Luan Haradinaj prej udhëkryqit me rrugën Garibaldi që çon tek hotel Grandi e deri te udhëkryqi tjetër Luan Haradinaj dhe rruga e UÇK-së, janë të bllokuara për momentin dhe ka mundësi që do të jenë të bllokuara deri në orët e mbrëmjes”, tha Elshani.
Në ditët e fundit, zyrtarë të lartë të KFOR-it kanë tërhequr vërejtjen se nuk do të lejohet asnjë formë e dhunës në Kosovë. Shefi për informim i KFOR-it, Rainar Senger, është i bindur se situata e sigurisë do te mbetet edhe më tej e qetë. “Vlerësimi ynë është se situata është e qetë dhe besojmë se do të mbetet kështu. Ushtarët e KFOR-it janë të pranishëm nëpër rrugët e Kosovës duke patrulluar”, tha Senger.
Ndryshe, policia rajonale e UNMIK-ut në Mitrovicë thotë se gjendja në këtë qytet është e qetë, por e tensionuar.
”Situata e sigurisë është e qetë, por e tensionuar. Policia dhe KFOR-i janë të gatshme për të reaguar në rast se ndodh diçka”, thotë zëdhënësi i policisë së UNMIK-ut në Mitrovicë, Larry Miller, duke shtuar se tensionet kanë të bëjnë me pritjen e pakos së zotit Ahtisaari.
Ndërkohë, Zyra Amerikane në Prishtinë u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të jenë vigjilentë gjatë javëve të ardhshme, kur në Kosovë do ketë ngjarje politike, por edhe protesta të mundshme. Në një njoftim zyrtar të plasuar në internet, Zyra Amerikane përkujton qytetarët amerikanë për protestat e paralajmëruara të 10 shkurtit që do të mbahen në Prishtinë, Mitrovicë e Ferizaj dhe u bën thirrje atyre që të qëndrojnë larg këtyre protestave dhe të kujdesen për sigurinë e tyre. “Ne dëshirojmë t’ua kujtojmë qytetarëve amerikanë se edhe pse është thënë se protestat do të jenë paqësore, mund të kthehen në konfrontime dhe mund të eskalojnë në dhunë. Prandaj, u kërkohet qytetarëve amerikanë që të rrinë larg këtyre manifestimeve”, thuhet në njoftimin e Zyrës Amerikane.
XS
SM
MD
LG