Ndërlidhjet

KOMBET E BASHKUARA


I dërguari i KB për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, tha se ende nuk ka marrë kërkesë zyrtare nga Serbia për shtyrjen e konsultimeve të parapara për 13 shkurt në Vjenë.
"Ende nuk më kanë kontaktuar dhe pres që kjo të ndodhë sot apo nesër. Sidoqoftë, nuk bëhet fjalë për një shtyrje të gjatë, ndoshta një javë apo 10 ditë", tha Ahtisaari pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon.
Ahtisaari tha se planifikon që deri nga fundi i marsit ta kompletojë propozimin për statusin e Kosovës dhe t'ia paraqesë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ai tha se është i gatshëm t'i shqyrtojë "amandamentet konstruktive" të Prishtinës dhe Beogradit në propozimin e tij për statusin.
Ahtisaari nuk deshi të flasë për çështjen e sovranitetit dhe anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Kombet e Bashkuara, por theksoi se "statusi do të jetë shumë qartë i formuluar në dokumentin përfundimtar".
I pyetur nëse statusi i Kosovës do të zgjidhet gjatë presidencës gjermane të BE-së deri në fund të qershorit, Ahtisaari e shfaqi shpresën se statusi "do të zgjidhet shumë më herët".
Në pyetjen nëse plani parasheh pavarësi të Kosovës, por vetëm që nuk ia thotë emrin, Ahtisaari u përgjigj se "të dyja palët kanë nxjerrë konkluza në bazë të pakos se pavarësia e Kosovës do të mbikqyret nga kominiteti ndërkombëtar".
Ahtisaari i bëri këto komente në një konferencë për shtyp pasi përfaqësuesve të këshillit të Lartë politik të Kombeve të Bashkuara, ua prezantoi detajet e propozimit të tij për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Në takimin, i cili u drejtua nga Ban Ki-Moon, mori pjesë edhe shefi i UNMIK-ut Joachim Ruecker.
XS
SM
MD
LG