Ndërlidhjet

KOSOVA DUHET TË JETË ANËTARE E 33-TË DHE SERBIA E 34-TË E BE-SË


Timothy GARTON ASH / "The Guardian"


Çfarëdo që është dhe ka qenë, Kosova vazhdon të jetë një sfidë e vogël, por thelbësore, për komunitetin ndërkombëtar në përgjithesi dhe për Bashkimin Evropian në veçanti. Plani i Martti Ahtisaarit, është mbresëlënës dhe mund të mos e ketë përmendur fjalën pavarësi, por secili e kupton se me të Kosova do të fitojë pavarësinë nën mbikqyrjen ndërkombëtare. Pavarësisht nga demonstrata në Prishtinë për “pavarësinë e menjëhershme”, e cila përfundoi me dy të vdekur, pjesa më e madhe e politikanëve shqiptarë mendojnë se është një plan i arsyeshëm. Por, politikanët serbë thonë se është i papranueshëm. Dhe Rusia, duke zgjedhur fjalët e saj me kujdes, ka thënë se nuk do ta përkrahë kursin e pavarësisë. Megjithëse Vladimir Putin kohët e fundit ka folur në mënyrë të ashpër, askush nuk e di se në ç’drejtim do të shkojë Rusia dhe ndoshta as vetë rusët nuk e dinë. Realistët thonë se marrëveshja mbase nuk do të mund të arrihet deri në samitin e qershorit të formacionit G8 që përbëhet nga vendet e fuqishme industriale, për t’i hapur rrugën kësisoji Këshillit të Sigurimit që të miratojë rezolutën. Dhe nëse marrëveshja nuk arrihet, atëherë mund të ketë më shumë dhunë.
Bashkimi Evropian tani duhet të jetë i qartë, i bashkuar, i vendosur dhe strategjik, katër tipare në të cilat ky bllok zakonisht dështon përtej kufijve që ka. Duhet të jetë i qartë se marrëveshja aktuale është më e mira që mund të arrihet; duhet të jetë i bashkuar dhe i vendosur, sepse vetëm në këtë mënyrë Rusia do të mund të bindet që të pajtohet. Dhe nëse ekziston fare një çështje e cila bashkon vlerat dhe interesat evropiane, ajo është Kosova. Në Kosovë, në pyetje janë interesat gjithëpërfshirëse evropiane, Rusia ndërkaq nuk ka asnjë interes jetësor.
Dhe në fund, karakteri strategjik i Bashkimit Evropian. Në një afat më të gjatë, e vetmja mënyrë për të mundësuar suksesin e planit të Ahtisaarit është nëse Kosova dhe Serbia i afrohen Bashkimit Evropian, megjithë fqinjët e tyre në Ballkan. Rruga përpara për Kosovën nuk është vetëm shtetndërtimi, por ndërtimi i shteteve anëtare. Kjo vlen edhe për Serbinë dhe kjo nënkupton se liderët evropianë duhet të kenë guximin dhe vizionin për të thënë se synojnë zgjerimin e mëtutjeshëm të Bashkimit Evropian. Vetëm atëherë paqja mund të sigurohet në Ballkan dhe Evropa mund të jetë një dhe e lirë.
Aktualisht, askush nga politika evropiane nuk e ka guximin ta thotë, por do ta them unë se në vitin 2014, Kosova dhe Serbia do t’i bashkohen bllokut evropian si vende anëtare me numrin rendor 33 dhe 34 - ose me rradhitjen e kundërt sipas serbëve. Në të njejtin vit, anëtarësimi do të jetë i mundshëm edhe për Malin e Zi, Bosnjën dhe Shqipërinë. Në ditëlindjen e saj të 50-të në muajin mars, komuniteti ekonomik evropian që u shndërrua në një union, do të ketë një rrëfim të jashtëzakonshëm për promovimin e paqes, lirisë dhe sundimit të ligjit. Por, rrëfimi do të jetë po aq i mirë se edhe kapitulli i tij i ardhshëm dhe Kosova duhet të pjesë e tij.
XS
SM
MD
LG