Zijadin Gashi
Zyra e emisarit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës në Vjenë, ka konfirmuar sot pjesëmarrjen e Prishtinës dhe Beogradit në raundet e ardhshme të takimeve, në lidhje me pakon e Ahtisaarit. Gjatë disa takimeve që do të zhvillohen nga data 21 shkurt deri në javën e parë të marsit, Ahtisaari dhe ekipi i tij do të bëjnë përpjekje që të arrijnë marrëveshje midis palëve, lidhur me sugjerimet dhe kërkesat e tyre për pakon e dorëzuar në Prishtinë dhe Beograd, më 2 shkurt të këtij viti. Zëdhënësi i UNOSEK-ut, Remi Dourlot, thotë se ndryshimet në dokumentin për statusin do të jenë të mundshme, vetëm nëse të dyja palët pajtohen lidhur me sugjerimet, që do të bëhen gjatë ditëve të ardhshme në takimet e Vjenës. “E kemi thënë qartë se kjo është një mundësi shtesë për palët, që t’i paraqesin qëndrimet. Ne jemi të gatshëm që t’i marrim në shqyrtim sugjerimet që do të paraqiten, por ata duhet të jenë të pranueshme edhe për palën tjetër, në mënyrë që të inkorporohen në dokumentin final”, thotë Remi Dourlot. Sipas tij, i tërë procesi i negociatave ka rezultuar me pakon Ahtisaarit, që është propozim kompromisi për statusin e Kosovës, dhe si i tillë duhet të përmbyllet, kështu që sugjerimet e njërës palë nuk do të mjaftojnë për ndryshime në dokument, nëse pala tjetër nuk i përfill ata. Lidhur me takimet e ardhshme në Vjenë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri, i cili ka kryesuar më së shpeshti delegacionet e Prishtinës në takimet e Vjenës, thotë se dokumenti i Ahtisaarit për Prishtinën edhe ashtu është pozitiv. Kurse faza e konsultimeve, sipas tij, është paraparë që palët t’i paraqesin vërejtjet e tyre dhe për këtë qëllim edhe pala kosovare do të udhëtojë për në Vjenë. “Ne do t’i adresojmë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me definimin, qartësimin apo vërejtjet teknike, që i shohim në dokument si të domosdoshme, në mënyrë që në implementim mos të ketë probleme. Jemi të koncentruar në të gjitha ato çështje, që janë të nevojshme për funksionalitet, por që e ruajnë substancën dhe që garantojnë implementim të sigurtë“, tha Haziri. Pala kosovare deri më tash ka shprehur më shumë rezerva ndaj pjesëve të pakos që parashohin kompetencat e komunave, autonominë e Kishës Ortodokse Serbe, zgjidhjet që ofrohen për Mitrovicën, borxhet e jashtme të Kosovës, si dhe fatin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe Forcën e ardhshme të sigurisë për Kosovën. Ndërkaq, zëdhënësi Remi Dourlot tha se gjatë takimeve të radhës në Vjenë, palët do t’i paraqesin komentet dhe pozicionet e tyre ndaj tërë dokumentit të presidentit Ahtisaari. “Procesi do të nisë nga e mërkura me shqyrtimin e tërë dokumentit nga fillimi e deri te anekset një nga një. Kjo do të zgjasë dhjetë ditë”, tha Remi Dourlot. Takimet e quajtura konsultative në Vjenë, fillojnë nga data 21 shkurt. Edhe nëse palët nuk arrijnë marrëveshje pas kësaj faze, UNOSEK-u tashmë ka paralajmëruar se Martti Ahtisaari dokumentin e tij final, do t’ia adresojë Këshillit të Sigurimit gjatë muajit mars.