Ndërlidhjet

PRISHTINA NUK PRET KOMPROMISE ME BEOGRADIN


Zijadin Gashi

Delegacioni i Prishtinës është nisur sot për në Vjenë, për të përmbyllur fazën e fundit të bisedimeve lidhur me pakon e Ahtisaarit për statusin e Kosovës. Shefi i delegacionit kosovar, Veton Surroi, tha para nisjes se pala kosovare nuk pret që procesi të rikthehet në fillim të negociatave, dhe se takimet e Vjenës i sheh më shumë si mundësi, që të bëhen disa korrigjime në dokumentin e Ahtisaarit. Ndërkaq, lidhur me marrëveshjet e mundshme me Beogradin, Surroi tha se nuk beson se ka vend për ndonjë marrëveshje apo harmonizim qëndrimesh me palën serbe. “Ne nuk shohim që ka diçka në strukturën e pakos së Ahtisaarit, që mund të ndryshojë. Siç e dini, në disa pjesë ne kemi bërë kompromiset e nevojshme, që nga shkurti i vitit të kaluar. Për ne ky kapitull ka mbaruar dhe ky libër është mbyllur. Atë që mund të bëjmë, po të shpreheshim me terminologjinë teknike të shtypshkronjave, është t’ia japim korrekturën e fundit dhe t’ia japim një kopertinë”, tha Surroi. Ndërkaq, anëtari i delegacionit që bën pjesë në ekipin për komunitete, Fatmir Limaj, tha se vërejtjet e palës kosovare do të paraqiten nga secili grup veç e veç, mirëpo këto vërejtje, sipas tij, nuk mund të bëhen publike para se të zhvillohen takimet në Vjenë. Sidoqoftë, Limaj tha se pret që Zyra e Ahtisaarit do t’i përfillë sugjerimet e Prishtinës, pasi që ato, sipas tij, kanë të bëjnë me krijimin e një dokumenti më mirë të zbatueshëm në Kosovën e pas statusit. “Sugjerimet tona janë jashtëzakonisht logjike dhe praktike, të cilat e ndihmojnë, e fuqizojnë implementimin e marrëveshjes në terren. Pa dyshim, që kemi disa vërejtje, disa sugjerime, disa kërkesa me të cilat do të paraqitemi para Zyrës së Ahtisaarit, secili grup veç e veç. Kjo është formuluar dhe ka marrë dritën e gjelbër dhe të Ekipit të Unitetit dhe të shohim se si do të shkojë”, tha Limaj. Në kuadër të delegacionit të Kosovës, kanë udhëtuar edhe të gjitha ekipet të cilat gjatë vitit të kaluar kanë zhvilluar negociata në Vjenë, si dhe Grupi Politik-Strategjik që funksionon në kuadër të Ekipit Negociues. Përfaqësuesit kosovarë deri më tash kanë shprehur më shumë rezerva ndaj pjesëve të pakos, që parashohin kompetencat e komunave, autonominë e Kishës Ortodokse Serbe, zgjidhjet që ofrohen për Mitrovicën, borxhet e jashtme të Kosovës si dhe për fatin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe Forcën e ardhshme të sigurisë për Kosovën. Ndërkaq, UNOSEK-u ua ka bërë me dije palëve se vërejtjet e tyre do të mund të inkorporohen në dokumentin final, vetëm nëse ato janë të pranueshme për të dyja palët. Procesi i konsultimeve, i cili fillon nesër, parashihet të përmbyllet në javën e parë të marsit. Ndërkaq për datën 10 mars, është paralajmëruar një takim tjetër Prishtinë–Beograd në një përfaqësim më të lartë politik. I tërë procesi, sipas zyrtarëve të Zyrës së Ahtisaarit, përmbyllet gjatë muajit mars, kur Ahtisaari do t’ia adresojë dokumentin e tij Këshillit të Sigurimit, ku më pas procesi kalon në vendimmarrje lidhur me statusin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG