Ndërlidhjet

MITROVICA-JETA NË QYTETIN E NDARË


Rrahman Paçarizi

Mitrovica, dikur një qytet i njohur për zhvillimin ekonomik falë industrisë metalurgjike dhe minierave, që nga viti 1999 funksionon e ndarë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, ndërkohë që plani i Ahtisaarit parasheh edhe ndarjen formale të qytetit në dy komuna. Ibri, kufiri gjeografik ndërmjet dy pjesëve etnikisht të ndara, nuk është kufiri i vetëm, pasi, dy pjesët e qytetit janë të ndara edhe sa i përket funksionimit të institucioneve vitale shtetërore, si arsimi, shëndetësia, furnizimi me energji elektrike dhe pushteti lokal. Në pjesën veriore, të gjitha institucionet punojnë sipas programeve të Qeverisë së Serbisë dhe financohen nga Qeveria e Serbisë, e në disa raste edhe nga Qeveria e Kosovës. Në anën tjetër, institucionet në pjesën jugore të qytetit punojnë sipas programeve të Qeverisë së Kosovës dhe financohen vetëm nga ajo. Të punësuarit në institucionet në veri, paguhen dyfish nga Qeveria e Serbisë. Milan Ivanoviq, zëvendësdrejtor i shtëpisë së shëndetit në veri, tha se në kuptim të punës dhe financave, ata nuk kanë asgjë të përbashkët me, siç u shpreh ai, institucionet shqiptare të Kosovës. “Nuk kemi kurrfarë lidhjesh me jugun, as me ministrinë dhe as na financojnë, pasi ne financohemi tërësisht nga Qeveria e Serbisë”, tha Milan Ivanoviq. Ndërkaq, kolegu i tij, Vehbi Leku, specialist i kirurgjisë në pjesën jugore, thotë se ata marrin paga vetëm nga buxheti i Kosovës. Meqë, spitali i qytetit ndodhet në pjesën veriore, ku mjekët dhe pacientët shqiptarë nuk kanë qasje, Leku thotë se problemi kryesor është mungesa e spitalit, për ç’shkak pacientët drejtohen për hospitalizim në spitalet e Prishtinës. “Për momentin, ne jemi të organizuar në një spital të ashtuquajtur, që në fakt është shtëpi e shëndetit, ku kemi kushtet minimale për kujdesin ndaj pacientëve”, shprehet Leku. Në Mitrovicën e pasluftës, as sistemi i arsimit nuk është i përbashkët, meqë në shkollat e pjesës jugore mësimi mbahet sipas planeve të Ministrisë së Arsimit të Kosovës, ndërsa në veri sipas planprogrameve të Ministrisë së Arsimit të Serbisë. Situatë e ngjashme është edhe në fushë të furnizimit me ujë dhe me rrymë. Përderisa veriu e merr ujin nga jugu, një pjesë e jugut furnizohet me rrymë nga veriu. Kryeinxhinieri i mirëmbajtjes në të ashtuquajturin Elektrokosmet, Nebojsha Kreçkoviq, thotë se rryma sigurohet nga një hidrocentral lokal, mirëpo në rast të prishjeve të mëdha rryma sigurohet edhe nga Serbia. Ai thotë se serbët në veri nuk e paguajnë rrymën e shpenzuar, ndërsa shqiptarët në jug po. Shumica dërrmuese e shqiptarëve në jug rrymën e marrin nga KEK-u, të cilit edhe ia paguajnë faturat. “Tridhjetë përqind të pjesës jugore ne e furnizojmë nga veriu”, tha Kreçkoviq. Sipas fjalëve të drejtorit të ujësjellësit rajonal që ndodhet në jug, Vehbi Braha, arsyeja themelore pse nuk ka furnizim të mirë me ujë, është se që nga viti 1999, serbët në veri nuk paguajnë faturat e ujit. “Sipas shënimeve që i kemi në pjesën jugore, inkasimi është 50 përqind i asaj që faturohet”, thekson Braha. Në anën tjetër, drejtori i qendrës për punë sociale, Milan Gjuroviq, thotë se rreth 25 mijë pensionistë nga veriu i Kosovës, 14 mijë prej të cilëve vetëm nga pjesa veriore e Mitrovicës, marrin pensione nga buxheti i Kosovës. Shumica prej tyre, njëkohësisht marrin edhe pensionet e rregullta nga Qeveria e Serbisë, e drejtë kjo që nuk mund ta realizojnë pensionistët shqiptarë nga jugu, që kanë paguar kontributet e tyre në fondin pensional të Kosovës para luftës. Pensionisti Muhedin Berisha, punëtor shumëvjeçar i Trepçës, thotë se shumica dërrmuese e pensionistëve shqiptarë jetojnë vetëm nga pensioni prej 40 eurosh i Qeverisë së Kosovës, pasi pensionet që u takojnë nuk i kanë marrë nga viti 1999. “Po thonë që fondi i pensionistëve ka shkur i tëri në Beograd, veç ndoshta do të bëhet mirë për të gjithë e edhe për ne, sespe jemi katastrofë, pasi 35 vjet kam punuar në energjetikë, e tash kemi mbetur kështu”, shprehet pensionisti Muhedin Berisha. Ndërkohë, raundi përfundimtar i konsultimeve për statusin e Kosovës vazhdon në Vjenë dhe duket t’i japë formën përfundimtare qytetit të ndarë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, ndarja e të cilëve duket të mos jetë vetëm Ibri, por edhe jeta e tyre e përditshme dhe mënyra se si i paguajnë faturat dhe llogaritë e tjera të jetës së përditshme.

XS
SM
MD
LG