Ndërlidhjet

VJENË


Ekipet negociatore të Prishtinës dhe Beogradit sot në Vjenë i kanë vazhduar bisedimet konsultative lidhur me çështjet e ekonomisë dhe të pronës në Kosovë.
Para takimit, anëtari i ekipit negociator kosovar Skender Hyseni tha se Prishtina gjithsesi do ta fillojë procesin e sukcesionit me Serbinë, por gjatë pushimit, Hyseni tha se në takimin e paraditës nuk është arritur kompromis për çështjet ekonomike.
"Më duhet të njoftoj se me delegacionin e Serbisë nuk ramë dakord për asgjë. Ndërsa delegacioni kosovar pajtohet me pjesën më të madhe të propozimit të Martti Ahtisaarit, delegacioni serb e ka hedhur poshtë tërë propozimin, dhe ka propozuar një aneks të ri për çështjet e ekonomisë dhe të pronës", tha Hyseni.
Ai tha se ekipi negociator i Prishtinës është pajtuar që Kosova të marrë përsipër një pjesë të borxhit ndërkombëtar, por shtoi se kjo do të zgjidhet në bisedimet direkte me Beogradin pas përcaktimit të statusit, ashtu siç parashihet me planin e Ahtisaarit.
Ekipi negociator serb e ka kundërshtuar këtë qëndrim të Prishtinës. Leon Kojen tha se për Serbinë, parimi i sukcesionit është i papranueshëm, ndërsa Dejan Popoviq tha se në rastin e Kosovës nuk bëhet fjalë për sukcesion. "Kjo është zgjidhur me arbitrazhin e Badenterit, si çështje e marrëdhënieve të republikave të ish Jugosllavisë. Kosova nuk e kishte statusin e republikës. Ajo kishte statusin e krahinës autonome brenda Republikës së Serbisë, kështu që nuk mund të zbatohen rregullat e sukcesionit", tha Popoviq.
Ndërkaq lidhur me pronën, Skender Hyseni theksoi se e gjithë prona publike i përket popullit të Kosovës.
"Serbia e ka integruar një pjesë të asaj prone në bazë të agresionit të vitit 1999, dhe populli i Kosovës asnjëherë nuk është dakorduar me këtë dhe as që e ka pranuar", tha Hyseni.
Pasdite, delegacionet e Prishtinës dhe të Beogradit do të diskutojnë edhe për pronën e Kishës Ortodokse.
Pas pushimit të fundjavës, bisedimet konsultative do të vazhdojnë të martën me shqyrtimin e aneksit 3, që ka të bëjë me decentralizimin e pushtetit në Kosovë.
XS
SM
MD
LG