Ndërlidhjet

MILJENKO DERETA: SERBËT E KOSOVËS NUK DO TË LËVIZIN NËSE NUK U BËHET FTESË


"Mendoj se askush nuk ka dëshirë të lëvizë nga vatra e tij. Mendoj se më nuk mund të gënjehen njerëzit, pasi ata e dijnë se çka ka ndodhë. Kur lëvizën njerëzit nga Krajina, kur lëvizën serbët nga Bosnja nuk dihej saktësisht se qfarë do të ishte fati i atyre njerëzve, prandaj ata shpeshë kanë lëvizur kah fjalët dhe premtimet dhe janë nisur në drejtim të Beogradit. Ata i rirreshtuan dhe i dërguan në Vojvodinë dhe në Kosovë. Nuk u lejuan që të arrijnë në Beograd. Lidhur me këtë më njerëzit nuk mund të gënjehen mëtutje", thotë, pos tjerash, Miljenko Dereta nga Iniciativa Qytetare, organizatë joqeveritare me seli në Beograd.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i vlerësoni ju bisedimet në Vjenë, ndërmjet delegacioneve të Serbisë dhe të Kosovës?

MILJENKO DERETA
Të gjithë flasin për fillim të bisedimeve, por ky është vazhdim i bisedimeve, të cilat po zgjatin tashmë një vit. Shpresoj që do të bisedohet për gjërat konkrete. Do të niset nga supozimi se Serbia nuk ka kurrfarë ndikimi në Kosovë. Kjo është një premisë e pranuar gjërësisht. Tash bisedohet për funksionimin e shoqërisë kosovare, mbrojtjen e interesave të pakicës serbe në Kosovë. Shpresoj se ekspertët do të ndihmojnë që të arrihet deri te një zgjidhje, e cila do të jetë e pranueshme për të dyja palët. Nga ana tjetër, jam tmerrësisht i mllefosur nga fakti që përsëri kemi humbur shumë kohë për të ardhur deri në pikën, në të cilën mund të ishim para një viti.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fillim të bisedimeve, Veton Surroi tha se Serbisë më shumë i interesojnë territoret se sa serbët që jetojnë atje, të cilët janë rreth 150 mijë.

MILJENKO DERETA
Absolutisht. Kjo nënkuptohet nga mënyra se si janë zhvilluar bisedimet deri më tash. Për njerëzit nuk është biseduar. Pushtetit të këtushëm serbët pak i interesojnë, ndërsa shqiptarët nuk i interesojnë fare. Kjo për mua është një pafytyrësi politike, një analfabetizëm, një arrogancë, një racizëm, një nacionalizëm i llojit më të keq dhe shovinizëm. Gjithë kohën ata flasin për Kosovën si pjesë e Serbisë, por askush nuk del të thotë se si do të dukej jeta politike në Serbi, nëqoftëse Kosova do të ishte pjesë e sistemit të Serbisë. Në ç'mënyrë do të zgjidheshin përfaqësuesit nga Kosova? Për momentin janë 40 vende në parlament, që plotësohen nga një numër i vogël i rrymave radikale nga Kosova. A mund të paramendoni një parlament serb, në të cilin njëra nga gjuhët zyrtare do të ishte shqipja, ku një parti e madhe do të vendoste për qeverinë, dhe kjo është partia e shqiptarëve apo partitë e shqiptarëve. Kjo do të ishte e ngjashme me situatën në Bullgari. Atje pakica turke është ajo që e përcakton se kush do të jetë në pushtet. Pastaj, askush nuk flet për shkollimin. Si do të dukej shkollimi në Kosovë nëse Kosova do të ishte pjesë e Serbisë? Pushtetit jo vetëm që nuk i interesojnë serbët e as shqiptarët, por atij nuk i interesojnë njerëzit fare. Më së paku i interesojnë vetë qytetarëve të Serbisë jashtë Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se kur Kosova e fiton pavarësinë, do të ndodhë një dyndje e madhe e serbëve nga Kosova?

MILJENKO DERETA
Mendoj se serbët nuk do të lëvizin nëse nuk u bëhet ftesë. Mendoj se askush nuk ka dëshirë të lëvizë nga vatra e tij. Mendoj se më nuk mund të gënjehen njerëzit, pasi ata e dijnë se çka ka ndodhë. Kur lëvizën njerëzit nga Krajina, kur lëvizën serbët nga Bosnja nuk dihej saktësisht se qfarë do të ishte fati i atyre njerëzve, prandaj ata shpeshë kanë lëvizur kah fjalët dhe premtimet dhe janë nisur në drejtim të Beogradit. Ata i rirreshtuan dhe i dërguan në Vojvodinë dhe në Kosovë. Nuk u lejuan që të arrijnë në Beograd. Lidhur me këtë më njerëzit nuk mund të gënjehen mëtutje. Njerëzit e dinë edhe se udhëheqësit kanë siguruar dhe blerë shtëpi. Ata nuk kanë mundësi për këtë. Kanë atë që e paketojnë dhe e marrin me vete. Nëse u bëhet thirrje prej këtu dhe nëse kjo ofrohet si zgjidhje, atëherë ky do të jetë presion i madh në njerëzit atje. Atëherë do të gjenden në situatë që të shpallen tradhëtarë, joserbë, jopatriotë e të ngjashme. Do të jenë shumë më të vetmuar se sa që janë tash.Tash, megjithatë, ky është një numër relevant i serbëve, të cilët nëse mirë vetëorganizohen do të munden vetvetes ti sigurojnë ndikim të madh në jetën politike të Kosovës. Nëse do të jetë numër i vogël i tyre atëherë aftësia e tyre do të jetë shumë më e vogël. Shpresoj se nuk do të jetë ajo ideja e marrë që serbët e Kosovës të mbrohen duke ardhë në Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse Kosova e fiton pavarësinë a mendoni se në Serbi do të ketë turbullira të mëdha?

MILJENKO DERETA
Po përpiqen të mendoj se si këto turbullira do të dukeshin në praktikë, ku kjo lëvizje përfundon, a do të ndalen ata në lumin Bubanj apo do të shkojnë mëtutje. Si do që të jetë, kufirin e Kosovës nuk mund ta kalojnë. Do ti ndalin në anën tonë, e nëse jo, atëherë me siguri në anën tjetër. Këto thirrje janë një shfaqje teatrore. mendoj se në këtë thirrje përgjigjen njerëzit të cilët gjithnjë marrin pjesë në zhvillimet të këtilla, e që janë të dëgjueshmit e partive. Këtu para se gjithash mendoj në Partinë Radikale dhe në simpatizuesit radikalë, që gjithnjë janë të gatshëm për qfarëdo rrahje. Gjithnjë i frikësohem hakmarrjes ndaj ndonjë individi të pafajshëm, qoftë në Beograd, ose në ndonjë qytet tjetër, ndaj atyre që nuk i takojnë pjesës etnike serbe, disave që u lejojmë të jetojnë afër nesh. Mjaft kam shqetësim për jugun e Serbisë sepse atje situata mund të përkeqësohet në mënyrën më të keqe të mundshme e pastaj të shfrytëzohet si shkas për ndonjë lloj të hakmarrjes, që do të ishte afatshkurtër, e cila do të ishte kënaqësi për Partinë Radikale, për Partinë Demokratike të Serbisë, për socialistët por në periudhë afatgjatë do të ishte fund i të gjitha shpresave të Serbisë se mund të bëhet pjesë e Evropës.
Intervistoi Milica Luçiq - Çaviç
XS
SM
MD
LG