Ndërlidhjet

SURROI: FORMIMI I ENTITETIT SERB, I PAPRANUESHËM


Zijadin Gashi

Këshilli Konsultativ për Komunitete ka konstatuar sot se në Kosovë, çështja e bashkësive etnike pakicë, në disa raste, është më e avancuar sesa që parashihet kjo me pakon e Ahtisaarit. Kështu ka deklaruar sot, shefi i Këshillit Konsultativ për Komunitete që vepron në kuadër të Ekipit Negociues kosovar, Veton Surroi, pas një takimi të zhvilluar me përfaqësuesit e pakicave, pas raundit të bisedimeve konsultative në Vjenë. Surroi tha se komunitetet në disa raste, më shumë preferojnë zgjidhjet që ofron sistemi aktual kosovar, sesa zgjidhjet që ofrohen me pakon e Ahtisaarit. Ndërkaq ai tha po ashtu, se është mjaft shqetësues fakti që Beogradi kërkon të drejta për serbët, ndërsa i mohon të drejtat e pakicave të tjera, çka është shprehur në kërkesën e palës kosovare, që krahas gjuhës shqipe dhe asaj serbe, edhe gjuhët e komuniteteve të tjera të njihen si zyrtare në ato komuna ku jetojnë komunitetet. “Këshilli Konsultativ u pajtua që të kemi një praktikë, e cila e njeh praktikën e të drejtës së përdorimit zyrtar të gjuhës boshnjake, turke dhe rome, në komuna ku jetojnë këto komunitete. Ky deklarim i yni dhe kjo kërkesë e jona, e cila është protokoluar te Ahtisaari, është refuzuar nga Beogradi dhe është jashtëzakonisht e çuditshme, se si një palë angazhohet kundër të drejtave të komuniteteve tjera, ndonëse proklamon tërë kohën se angazhohet për të drejtat e komuniteteve”, tha Surroi. Ai, në vazhdim, theksoi se nuk mund të dihet me saktësi, se cilat zgjidhje konkrete për komunitetet do të propozohen në dokumentin final të presidentit Ahtisaari. Surroi tha se nuk sheh mundësi që dokumenti të ndryshojë rrënjësisht, por sidoqoftë, ai tha se duhet të pritet, se çfarë korrigjimesh në pakon e tij do të parashohë Ahtisaari, pas fazës së konsultimeve. Sipas Surroit, komunitetet tjera, përveç serbëve, me disa vërejtje pajtohen me zgjidhjet që pakoja e Ahtisaarit ofron për ta. Ndërkohë, që kërkesa për krijimin e entitetit serb në Kosovë, sipas tij, është jologjike dhe e papranueshme për palën kosovare. “Gjatë tërë vitit të kaluar kanë kërkuar lidhje horizontale dhe vertikale të komunave serbe. Tash përnjëherë ndryshohet ajo logjikë dhe thuhet-jo, duam entitet serb. Është jashtë kontekstit. Përfaqësuesit tonë në Vjenë e kanë shtruar një pyetje fundamentale, nëse kërkojnë entitet, a do të thotë kjo se po heqin dorë prej të gjitha kërkesave tjera, sepse kërkesa për entitet është kërkesë për një strukturë krejt tjetër, në të cilën nuk është me rëndësi më, se çfarë lidhjesh, horizontale apo vertikale, kanë komunat”, tha Surroi. Një çështje tjetër që, sipas Veton Surroit, ka mbetur si shqetësim më vete, është sistemi i arsimit. Ai tha se Ministria e Arsimit duhet të jetë ajo që duhet të certifikojë planprogramet mësimore, si për shumicën, ashtu edhe për pakicat. Aktualisht, serbët e Kosovës zhvillojnë një sistem të ndarë të arsimit nga ai i Kosovës, duke zbatuar planprogramin e Serbisë, ngjashëm si veprohet dhe në zbatimin e ligjeve dhe çështjeve të tjera, që njihet si sistem paralel kundruall sistemit ligjor në Kosovë. Të gjitha këto çështje, sipas Surroit, duhet definuar në mënyrë që në Kosovën e pas statusit, të mos ketë vazhdimësi të një praktike të tillë në pjesë të caktuara të territorit të saj.

XS
SM
MD
LG