Ndërlidhjet

VJENË


Takimi i sotëm në Vjenë përfundoi më herët si rezultat i kundërshtimeve të thella në mes të delegacionit të Prishtinës dhe atij të Beogradit.
Delegacioni i Kosovës tha se praninë ndërkombëtare në Kosovë e sheh si garancë për implementimin e marrëveshjes dhe ndihmesë të madhe në arritjen e synimeve të Kosovës për integrim në BE.
Por, delegacioni i Beogradit u shpreh kundër të gjitha anekseve që kanë të bëjnë me sigurinë në Kosovë duke kërkuar marrëveshje të re të Serbisë me Kombet e Bashkuara.
"Prania ndërkombëtare në Kosovë, do të ndihmojë drejtpërdrejtë në ngritjen e kapaciteteve në Kosovë dhe në vendosjen e normave të cilat do të shkurtojnë rrugën e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian", tha pas takimit anëtari i delegacionit kosovar Ardian Gjini.
"Këto çështje janë aspirata të popullit të Kosovës, dhe mendojmë se si prania civile ashtu edhe ajo ushtarake pas pavarësisë do të jenë ndihmesë e madhe për arritjen e këtyre aspiratave të popullit të Kosovës", tha Gjini.
Ndërsa lidhur me forcat e sigurisë në Kosovë, ai u shpreh se "ato paraqesin një bazë për një sistem të mbrojtjes në të ardhmen dhe për ushtrinë e Kosovës si sistem kompaktibil me shtetet anëtare në NATO".
Pala serbe ishte kundër çdo elementi që ka të bëjë me sigurinë në Kosovë.
"Për Beogradin është i papranueshëm aneksi në propozimin e Ahtisaarit i cili i mundëson Kosovës formimin e forcave të veta të sigurisë", tha koordinatori i delegacionit serb Slobodan Samarxhiq.
Ai tha se delegacioni i Beogradit, në këto forca e sheh bërthamën e një ushtrie të ardhshme shqiptare në Kosovë, ndërsa kërkoi çmilitarizimin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG