Ndërlidhjet

REAGIMET PAS DËSHTIMIT NË THEMELIMIN E KUVENDIT POPULLOR SERB


Rrahman Paçarizi

Mbledhja e parë konstituive e Kuvendit Popullor Serb të Kosovës, në të cilën 151 delegatë është dashur të zgjedhin organet udhëheqëse, nuk është mbajtur dje në Graçanicë, pasi disa dhjetëra serbë i kanë penguar pjesëmarrësit që të nisin takimin dhe të zgjedhin kryetarin dhe kryesinë e këtij organizimi. Konstituimi i Kuvendit Popullor Serb është bërë me nismën e anëtarëve të Këshillit Organizativ të Partisë Socialdemokratike, të Partisë së Pavarur Liberale, të G-17-shit, të Lëvizjes së Përtëritjes Serbe, si dhe nga disa anëtarë të Listës Serbe për Kosovën e Metohinë. Konstituimi i Kuvendit Popullor Serb ka për qëllim bashkimin dhe organizimin e serbëve të Kosovës, në prag të përfundimit të bisedimeve për statusin e Kosovës. Ai po ashtu, ka për qëllim ndërtimin e një strategjie të përbashkët, tha në një deklaratë për radion Evropa e Lirë, anëtari i Listës Serbe, Gojko Saviq. “Me kuvendin themelues dhe formimin e atij kuvendi, kemi dashur ta mobilozojmë popullin, që ai ta marrë fatin në duart e veta dhe të mendojë për të ardhmen e tij”, tha Saviq, sipas të cilit deri më tash, gjithmonë dikush tjetër ka vendosur për ta, që do të thotë pikërisht ata, që e penguan takimin e djeshëm. Njëra nga udhëheqëset e Këshillit Nacional Serb, Rada Trajkoviq, tha se organizatorët e këtij kuvendi nuk kanë kredibilitet shtetëror dhe as legjitimitet dhe “pa Kishën Ortodokse Serbe, pa përkrahjen e qartë të autoriteteve shtetërore të Serbisë, kam frikë se serbët e Kosovës janë në një fazë të rrezikshme të konflikteve të ndërsjella, që në njëfarë mënyre paraqet manipulim të njërës dhe të palës tjetër”, tha zonja Trajkoviq. Ajo ka kërkuar nga Kisha Serbe dhe autoritetet e Serbisë, që të analizojnë qartë veprimet e serbëve të Kosovës, në mënyrë që të mos rrezikohet qenia e serbëve në Kosovë. Këshilli Nacional Serb e ka gjykuar ashpër paralajmërimin për formimin e Kuvendit Popullor Serb, duke tërhequr vërejtjen se veprimet në atë drejtim, mund të kenë pasoja të rënda për ekzistencën e serbëve në Kosovë dhe për mbetjen e Kosovës në kuadër të Serbisë. Në takimin e djeshëm të dështuar të Kuvendit Popullor Serb në Graçanicë, patën shkuar edhe shefat e zyrave të Britanisë së Madhe, të Gjermanisë dhe të Francës, ndërkohë që shefi i zyrës britanike, David Blunt, u shpreh në mbështetje të asaj nisme.
XS
SM
MD
LG