Ndërlidhjet

FRIED: EKSTREMISTËT NGA TË DYJA ANËT PO DËMTOJNË KOSOVËN


Albana Isufi

Ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Daniel Fried, tha se ekstremistët dhe kundërshtarët në të dyja anët, janë duke dëmtuar si popullin shqiptar, ashtu edhe atë serb. Pas takimit që ka pasur me Ekipin Negociator, Fried ka vlerësuar lidershipin e treguar nga presidenti Sejdiu, sidomos, siç ka thënë ai, rolin që Sejdiu ka treguar në protestat e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje. “Ekstremistët dhe kundërshtarët në të dyja anët, shqiptarët dhe serbët, mund t'i dëmtojnë shumë të gjithë njerëzit në Kosovë. Pajtohem me atë që tha presidenti, se ekstremistët dhe kundërshtarët nuk janë miq të Kosovës”, theksoi Fried. Ai tha se çdo popull në rajon, ka brenda ekstremistë që refuzojnë ecjen e proceseve përpara. “Bëhet fjalë për çështje serioze dhe plani i Ahtisaarit është serioz. Nuk e di se çka duan këta ekstremistë, por e di që ata janë kundër, kundërshtojnë planin, i cili deri më tash, jo që është plani më i mirë, por i vetmi që ofron një të ardhme më të mirë për Kosovën”, tha Fried. Pavarësisht kësaj, ndihmëssekretari amerikan i shtetit theksoi se procesi i statusit, që sipas tij, ka qenë i gjatë dhe i vështirë, tani po e arrin fundin. Ai shtoi se qeveria e tij mbështet procesin e drejtuar nga Ahtisaari, ndërsa propozimin për statusin e vlerëson si të balancuar. “Ky rajon ka vuajtur nga luftërat, luftërat civile dhe frika, të stimuluara këto nga nacionalistët, që i çuan njerëzit e tyre kah shkatërrimi. Tash është shansi që të punohet me presidentin Ahtisaari, që të vihen gjërat në rrugë të drejtë. Pakoja e Ahtisaarit nuk është finalizuar, por tashmë është e qartë se është një pako e balancuar. Nuk i jep gjithçka njërës palë, por u jep nga diçka të dyja palëve”, tha Fried. Presidenti Sejdiu ndërkaq, shpreson se Shtetet e Bashkuara do të mbesin të angazhuara në procesin e përcaktimit të statusit final, deri në fund. “Prishtina pret që, SHBA-të bashkë me aleatët evropianë, të jenë në mbështetje të fuqishme të këtij procesi edhe në ecjen e mëtejme, deri në proceset vendimmarrëse në Këshillin e Sigurimit. Është me rëndësi, të mbahet stabiliteti i vendit. Të gjithë qytetarët të besojnë dhe të kenë përkushtimin e përbashkët për të ardhmen, dhe të jenë pjesë e dëshmisë në ecje edhe në këtë situatë kaq të rëndësishme”, tha Sejdiu. Ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Daniel Fried, beson se nuk do të ketë bisedime pas raundit të 10 marsit. Ai po ashtu beson, se ky takim do të jetë produktiv dhe se lidershipi kosovar dhe ai serb, do të shkojnë atje me sugjerime finale, praktike dhe konkrete. Diploamti amerikan ka shfaqur shpresën se në përcaktimin e statusit final, do të ketë një unitet ndërmjet fuqive më të mëdha botërore. “Mund të them se Shtetet e Bashkuara kanë punuar ngusht me Rusinë në Grupin e Kontaktit, për një kohë të gjatë. Unë kam raporte shumë të mira me homologun tim rus. Rusët kanë qenë shumë të kujdesshëm në gjuhën e tyre. Është qëllim i qeverisë sime, që të punohet ngusht me Rusinë dhe në frymë të kësaj, të lëvizet përpara”, tha Daniel Fried. Për një unitet të tillë, rol të madh, sipas kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçit, mund të luajnë Shtetet e Bashkuara. “U muar edhe një mbështetje nga zoti Fried se SHBA-të do të luajnë rolin e tyre që u takon, rolin e rëndësishëm unifikues të politikës globale. Por natyrisht, edhe Prishtina do të luajë rolin e vet si politikë e unitetit shtetëror, si një politikë që ka vendosmëri për të implementuar procesin, por edhe si një politikë që është e gatshme të ruajë dhe të kultivojë shumë fuqishëm partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare dhe procesin e ardhshëm”, tha Thaçi. Ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Daniel Frid, dje ka takuar liderët serbë të Kosovës, ndërsa vizitën e tij rajonit, ai do ta përmbyllë në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG