Ndërlidhjet

SERWER:"PAVARËSIA DHE SOVRANITETI I KOSOVËS NUK KANË ALTERNATIVË"


Daniel SERWER, Instituti Amerikan për Paqë/Uashington/

RADIO EVROPA E LIRË
Pas bisedimeve në Vjenë tash debati për satusin e Kosovës kalon në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Por, duket se atje ekzistojnë dallime për këtë çështje. Rusia tha se është shumë herët për ta shqyrtuar propozimin e Martti Ahtisaairt, por Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja thonë se tash është koha për të lëvizur përpara. Si e shihni ju këtë situatë?

DANIEL SERWER
Mendoj se është koha për të lëvizur përpara. Mendoj se çdo shtyrje në këtë pikë bartë rrezikun e humbjes së durimit nga ana e popullit të Kosovës. Nuk shohë asnjë të mirë nga shtyrja.

RADIO EVROPA E LIRË
Moska është shprehur se do ta kundërshtoj çdo vendim nëse të dy palët nuk janë të kënaqura me propozimin. Por, zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të shtetit, zoti Fried tha se "ai nuk vlerëson se do të ketë veto të Rusisë". Nga pikëpamja juaj çfarë zhvillimesh do të shohim në Këshillin e Sigurimit gjatë debatit për Kosovën?

DANIEL SERWER
Është vështirë për t'u përgjigjur. Shpresoj se amerikanët do ta dërgojnë çështjen në Këshillin e Sigurimit edhe nëse ka kërcënim me veto. Mendoj se zoti Fried ka të drejtë kur thotë se rusët në fund nuk do ta përdorin veton. Plani i Ahtisaarit është korrekt ndaj serbëve. Është i mirë për perspektivën serbe, pasi parasheh mbrojtjen e serbëve të Kosovës dhe mbrojtjen e monumenteve serbe. Dokumenti nuk e kënaq Serbinë në çështjen e sovranitetit, por sinqerisht Serbia nuk ka pasur sovranitet efektiv ndaj Kosovës nga përfundimi i luftës. Mendoj se është shumë vështirë që ajo të jetë në gjendje ta rikthejë atë. Sa i përketë Rusisë, ajo pret një çmim për të mos vënë veto. Shpresoj se në këtë aspekt, ne do të arrijmë marrëveshje.

RADIO EVROPA E LIRË
Dëshiroj ta citoj një punim tuajin të ditëve të fundit në të cilin ju i bëni ftesë Shteteve të Bashkuara që të lëvizin përpara dhe njëanshëm ta njohin pavarësinë e Kosovës, nëse Këshilli i Sigurmit i OKB-së nuk është në gjendje të arrijë vendim. Sipas jush, a do të ndërmarrin Shtetet e Bashkuara një hap të tillë?

DANIEL SERWER
Nuk e dijë. Më lejoni të jem i qartë. Unë preferoj që të arrihet një vendim në Këshillin e Sigurimit. Kjo është mënyra më e mirë. Nuk e dijë nëse Shtetet e Bashkuara do të lëvizin njëanshëm, por mendoj se kanë filluar ta diskutojnë çështjen. E dijë se nëse ky propozim dështon në Këshillin e Sigurimit, atëherë mund të pritet që radikalët ta marrin iniciativën në Prishtinë. Çdokush ishte i shqetësuar për mundësinë e ardhjes së radikalëve në pushtet në Beograd, por mendoj se është me rëndësi të kihet parasysh nëse radikalët poashtu mund ta marrin iniciativën në Prishtinë. Do të ishte situatë shumë fatkeqe nëse kjo ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç thatë, shtyrja dhe paqartësia mund të sjellin dhunë dhe konflikt në Kosovë. Si e shpjegoni këtë qëndrim?

DANIEL SERWER
Ky nuk është qëndrim. Sipas pikëpamjes sime, është fakt se njerëzit në Kosovë kishin durim për një kohë të gjatë dhe tash ata dëshirojnë ta kenë qeverinë e tyre dhe sovranitet. Nuk mendoj se diçka është fituar në shtyrjen për referendumin e Kushtetutës dhe për zgjedhjet serbe. Pra, unë nuk shohë se çka është fituar nga shtyrja, por mendoj se diçka është humbur. Mendoj se është një vlerësim në Beograd se ata mund ta refuzojnë planin e Ahtisaarit, ta bllokojnë atë në Këshillin e Sigurimit dhe ende të kenë përfitime pas kësaj. Nuk mendoj se është e vërtetë. Mendoj se nëse plani i Ahtisaarit bllokohet në Këshillin e Sigurimit, atëherë ai është jashtë loje dhe kufizimet e ndryshme ndaj Kosovës, në planin e Ahtisaarit, nuk jam i sigurtë se do të ekzistojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, zoti Serwer, si e shihni çështjen e statusit final të Kosovës?

DANIEL SERWER
Para një viti ne kemi publikuar një dokument me opsionet e mundshme për Kosovën. Ne kishim propozuar rreth 8 opsione për të cilat mendonim se janë të mundshme për Kosovën pas luftës. Problem ishte se shumë nga këto opsione u zhdukën për shkak se në masë të madhe Beogradi zgjodhi që ato të mos i shqyrtoj seriozisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë statusi parashihni për Kosovën?

DANIEL SERWER
E dini se plani i Ahtisarit parasheh Kosovën që është nën kontrollin e jashtëzakonshëm ndërkombëtar, por nuk thotë nëse Kosova do të jetë shtet sovran dhe i pavarur. Mendoj se kjo është diçka që është e domosdoshme të vendoset në Këshillin e Sigurimit. Shpresoj se Ahtisaari do të bëjë rekomandime për këto çështje kur ai ta prezentoj propozimin e tij në Këshillin e Sigurimit. Por, unë nuk shohë asnjë alternativë tjetër ndaj sovranitetit të Kosovës dhe më duket se të gjitha opsionet e tjera, janë përjashtuar. Nëse nuk keni sovranitet për Kosovën, ju përfundoni në një entitet shumë të ngjashëm me Bregun Perëndimor. Një entitet pa status ndërkombëtar, por ku mund të pritni tarzira të mëdha dhe mendoj se askush nuk dëshiron ta krijoj Bregun Perëndimor në Ballkan. Por, një çështje që duhet ta bëjnë shqiptarët e Kosovës për të ndihmuar procesin e statusit që ai të përfundoj në mënyrë të drejtë, ashtu siç duan ata, është që të mbrojnë çdo serb në Kosovë, të kenë mirëkuptim për kthimin e serbëve në shtëpitë e tyre dhe t'i trajtojnë ata mirë. Nuk ka gjë më të rëndësishme.

RADIO EVROPA E LIRË
Për fund të kësaj interviste, zoti Serwer, ka plane për një mision të ri ndërkombëtar në Kosovë, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, pasi të jetë zgjidhur statusi. Si e shihni ju këtë mision dhe detyrën e tij?

DANIEL SERWER
Mendoj se është krejtësisht në rregull që BE-ja do ta marrë këtë rol. Mendoj se fokusimi në sundimin e ligjit është në rregull. Mendoj se nuk duhet të pritet që ta zbatojnë një lloj kontrolli ndaj Kosovës, siç ishte vepruar në Bosnjë. Shqiptarët e Kosovës janë në gjendje ta qeverisin vetveten. Por, ata nuk mund të qeverisin me marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Ekziston një mosbesim i thellë ndërmjet të dy palëve dhe kjo nuk i mundëson shumicës shqiptare që të qeverisë në mënyrë efektive dhe korrekte. Prandaj, ju duhet mbikëqyrje ndërkombëtare në çështjet ndëretnike.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG