Ndërlidhjet

LDK-PDK BASHKËQEVERISIN NË GJILAN


Rrahman Paçarizi

Dy partitë më të mëdha të Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, kanë shpallur sot zyrtarisht formimin e koalicionit qeverisës në Komunën e Gjilanit, që është bërë pas ndarjes së një pjese të LDK-së dhe formimit të Lidhjes Demokratike të Dardanisë. Njëkohësisht, përfaqësues të këtyre dy partive nuk kanë pohuar dhe as kanë mohuar mundësinë e një koalicioni ndërmjet këtyre partive në nivelin qendror. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, dhe ai i partisë më të madhe opozitare, PDK-së, Rrustem Mustafa, kanë mbajtur sot një takim të përbashkët me gazetarë për këtë çështje. Zoti Haziri tha se arsye për këtë është: “Për të konfirmuar bashkëpunimin tonë dhe në veçanti bashkëqeverisjen në komunën e Gjilanit. Ju e dini që LDK-ja atje e ka pasur një shumicë të sigurt në asamblenë komunale, por e ka humbur pas ndarjes apo pas largimit të vetë kryetarit të komunës në një subjekt tjetër politik, dhe si rezultat i kësaj, ne kemi biseduar dhe kemi hulumtuar rrugë, që çojnë në interes të zhvillimeve pozitive”. Ndërkaq, zoti Mustafa e quajti këtë një hap fillestar për bashkëpunimin, që pritet në të ardhmen ndërmjet këtyre dy partive. “Sot po ju njoftojmë me vendimin e fundit të partive tona në këtë drejtim. Kjo po ndodh fillimisht në nivele lokale”, tha Rrustem Mustafa. Mirëpo, asnjëri nga nënkryetarët e dy partive më të mëdha në Kosovë nuk kanë dashur të thonë qartë, nëse kjo bashkëqeverisje në Komunën e Gjilanit është uvertyra e bashkëqeverisjes në nivelin qendror. Lutfi Haziri tha: “Ne jemi të interesuar në zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe në të ardhmen e shohim në stabilitet dhe siguri, dhe PDK-ja është edhe konkurrenti ynë kryesor, por mund të jetë edhe partneri kryesor në të ardhmen”. Edhe Rrustem Mustafa tha se çështja e koalicionit eventual në nivelin qendror u takon niveleve më të larta partiake, ose kryetarëve Sejdiu e Thaçi, siç është shprehur Mustafa, sipas të cilit këto takime kanë qëllim relaksimin e raporteve. “Ne nuk jemi duke punuar për atë qëllim sot, ne jemi duke relaksuar marrëdhëniet ndërmjet dy subjekteve. Jemi në kontakte të rregullta, dhe nuk kemi problem të komunikojmë. Komunikimi ynë po i zbut qëndrimet tona, që kanë qenë një kohë të pavend”, tha Mustafa. Në anën tjetër, afërsinë e vërejtur kohët e fundit ndërmjet LDK-së dhe PDK-së, e ka quajtur rezultat të një angazhimi konkret dhe të sinqertë, në mënyrë që çështjet madhore të Kosovës të vendosen me konsensus në rrafsh të bashkëpunimit institucional, dhe kanë krijuar mundësi që bashkëpunimi partiak të thellohet më shumë. Ata thanë se aktualisht ka bashkëpunim të mirë ndërmjet këtyre dy partive edhe në Ferizaj, në Klinë dhe në Kamenicë dhe premtuan vazhdim të këtyre përpjekjeve.
XS
SM
MD
LG